Gjashtë fakultete të UKIM-it tërheqin delegatët nga Kuvendi Studentor Universitar
Kuvendet studentore të fakulteteve FEIT, TMF, FINKI, FDU, FLF dhe FFOSZ kanë njoftuar se do t’i tërheqin delegatët e tyre nga Kuvendi Studentor Universitar i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” (UKIM) në Shkup.
Në një komunikatë të përbashkët, kuvendet studentore bëjnë të ditur se distancohen nga puna e këtij organi, pasi, sipas tyre, përbërja aktuale e Kuvendit Studentor Universitar nuk është legjitime.
“Verifikimi i mandateve nuk është realizuar sipas kritereve të njëjta për të gjithë, Statuti i Kuvendit Studentor Universitar të UKIM-it po shkelet, ndërsa fakultetet nuk janë të përfaqësuara në mënyrë të barabartë në organet e Universitetit”, thuhet në komunikatë.
Sipas tyre, kjo nuk është mënyra se si duhet të funksionojë një organ studentor që ka për detyrë të përfaqësojë studentët e universitetit më të vjetër dhe më të madh në vend, veçanërisht një institucion që administron mjete publike dhe ka përgjegjësi të veprojë në interes të studentëve.
“Procedurat e fshehta, presionet, vendimet e dakorduara paraprakisht, imponimi i personave dhe ndarja e funksioneve pas dyerve të mbyllura janë në kundërshtim me çdo parim të organizimit demokratik dhe transparent studentor”, theksohet në reagim.
Nënshkruesit shtrojnë pyetjen se deri kur organet studentore do të jenë hapësirë për interesa personale, në vend që të përfaqësojnë zërin e studentëve.
Ata kërkojnë rishqyrtim publik të mandateve, përfaqësim të barabartë për të gjitha fakultetet dhe një procedurë të re e transparente për konstituimin e Kuvendit Studentor Universitar.
Në fund, kuvendet studentore të gjashtë fakulteteve u bëjnë thirrje edhe kuvendeve të fakulteteve të tjera që t’u bashkohen kësaj nisme.
Gazeta Flaka















