Delkarata e Mickoskit – Përtej interpretimit juridik, vëmendje të veçantë kërkon edhe përdorimi i termit “implant’
Deklarata e kryeministrit Hristijan Mickoski, se arsimi i lartë në Maqedoninë e Veriut mund të zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase, ngre pikëpyetje serioze për interpretimin e dispozitave kushtetuese dhe për respektimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Duke folur nga foltorja e Kuvendit, Mickoski deklaroi:
„Nëse e lexoni mirë Kushtetutën, do të shihni se arsimi i lartë nuk mund të jetë në gjuhë tjetër përveç maqedonishtes. Ajo që ligji është i tillë, dhe ajo që të gjithë ne kemi një implant të tillë, është temë tjetër. Sepse në gjuhë tjetër përveç maqedonishtes mund të kemi vetëm mësim fillor dhe të mesëm, jo edhe të lartë, nëse e lexoni Kushtetutën.“
Përtej interpretimit juridik, vëmendje të veçantë kërkon edhe përdorimi i termit „implant“ nga kryeministri për të përshkruar realitetin e arsimit të lartë në gjuhë tjetër nga maqedonishtja.
Kryeministri ka të drejtë të kërkojë debat për ligjet, organizimin dhe cilësinë e arsimit të lartë. Por një debat i tillë duhet të mbështetet në argumente juridike dhe në respektimin e dokumenteve që përcaktojnë të drejtat e komuniteteve në Maqedoninë e Veriut.
„Përdorimi i termit ‘implant’ për universitetet në gjuhën shqipe nuk është një formulim neutral. Ai krijon perceptimin se arsimi universitar në shqip është diçka e huaj, e vendosur artificialisht në sistemin arsimor të vendit. Universitetet dhe e drejta për arsimim në gjuhën shqipe nuk mund të trajtohen si elemente të huaja. Ato duhet të diskutohen përmes standardeve akademike, ligjit dhe të drejtave të garantuara“, thekson Zenku. Flaka















