Partitë shqiptare me mesazhe për Ditën e Flamurit: Sakrificë, dinjitet dhe unitet
Me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, partitë dhe koalicionet politike shqiptare kanë përcjellë mesazhet e tyre të urimit, duke vënë në pah rëndësinë historike të kësaj date, sakrificën e brezave për liri dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka uruar shqiptarët për festën kombëtare, duke bërë thirrje që 28 Nëntori të kremtohet me dinjitet, krenari dhe përgjegjësi. Në mesazhin e saj, BDI ka apeluar për shmangien e provokimeve dhe tensioneve, duke theksuar rëndësinë e maturisë dhe unitetit.
“Apelojmë që të mos biem pre e asnjë provokimi, nxitjeje apo skenari të mundshëm nga qarqe të caktuara, të cilat mund të synojnë të krijojnë tensione dhe të zbehin madhështinë e kësaj dite. Çdo përpjekje për ta shndërruar festën tonë kombëtare në burim tensionesh duhet të marrë përgjigjen tonë përmes maturisë, dinjitetit dhe unitetit”, thuhet në komunikatën e BDI-së.
BDI gjithashtu ka rikujtuar se flamuri kombëtar shqiptar gëzon mbrojtje ligjore, si në përdorimin privat nga qytetarët, ashtu edhe në përdorimin zyrtar nga institucionet, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ndërkaq, Koalicioni VLEN ka përcjellë urimet më të përzemërta për të gjithë shqiptarët, duke vlerësuar sakrificën dhe qëndresën e popullit shqiptar. Në komunikatën e saj, VLEN ka theksuar edhe rëndësinë e bashkëpunimit strategjik me Tiranën zyrtare dhe forcimit të lidhjeve ndërshqiptare.
“Ky moment është një nga datat që dëshmon forcën e sakrificës dhe qëndresës së popullit shqiptar. VLEN vlerëson bashkëpunimin strategjik dhe të vazhdueshëm me Tiranën zyrtare dhe angazhohet për forcimin e lidhjeve ndërshqiptare, zhvillimin ekonomik dhe përparimin institucional”, thuhet në urimin e koalicionit.
Edhe Lidhja Shqiptare, e drejtuar nga Ziadin Sela, ka përcjellë mesazhin e saj për 28 Nëntorin, duke nderuar figurat e Rilindjes Kombëtare dhe dëshmorët e kombit.
“Sot kujtojmë me nderim dhe përulje të thellë vizionin e rilindasve tanë, të cilët me penë, fjalë e guxim hodhën themelet e shtetformimit dhe të vetëdijes kombëtare, si dhe sakrificën sublime të dëshmorëve të kombit. Amaneti i tyre nuk është thjesht një kujtim i bukur i së kaluarës, por një detyrim i përditshëm që na udhëheq në çdo hap”, thuhet në urimin e kësaj partie.
Në të njëjtën frymë, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka uruar shqiptarët për Ditën e Flamurit, duke theksuar se liria, dinjiteti dhe identiteti kombëtar janë vlera të ndërtuara përmes sakrificave të brezave.
“28 Nëntori është simbol i një historie që nuk është ndërtuar lehtë, por me sakrificë, përkushtim dhe qëndresë të vazhdueshme. Kjo ditë na kujton se identiteti kombëtar, liria dhe dinjiteti nuk janë vlera të zakonshme, por ideale për të cilat breza të tërë shqiptarësh kanë sakrifikuar”, thuhet në urimin e PDSH-së.
Mesazhet e partive politike shqiptare, ndonëse me thekse të ndryshme, kanë në qendër kujtesën historike, sakrificën kombëtare dhe rëndësinë e ruajtjes së vlerave që përfaqëson 28 Nëntori.
Flaka















