“20 Vjet Krenari”, Çairi shënon 28 Nëntorin me manifestim festiv në Sheshin “Skënderbeu”
Sheshi “Skënderbeu” në Shkup është shndërruar sot në epiqendër të festimeve të 28 Nëntorit, ku nën atmosferën e flamujve kuqezi, muzikës shqipe dhe krenarisë kombëtare u mbajt manifestimi qendror “20 Vjet Krenari”, organizuar nga Komuna e Çairit.
Manifestimi këtë vit kishte një domethënie të veçantë, pasi shënon edhe 20-vjetorin e vendosjes së shtatores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Shkup, një simbol i rëndësishëm i pranisë dhe identitetit shqiptar në kryeqytet.
Pjesë e programit festiv ishte koncerti i këngëtares Edona Llalloshi, si dhe interpretimet artistike të Çun Lajçit dhe Pajazit Murtishit, të cilët i dhanë aktivitetit një dimension të veçantë kulturor dhe artistik.
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, duke rikujtuar simbolikën historike të vendosjes së shtatores së Skënderbeut, tha se 20-vjetori përfaqëson jo vetëm një moment kujtese, por edhe krenarie për arritjet e deritanishme.
“Njëzet vjet më parë, e festuam 28 Nëntorin duke i dhënë Shkupit Skënderbeun. Sot, e festojmë me krenarinë e asaj që kemi arritur dhe me vendosmërinë për atë që ende kemi për të arritur”, u shpreh Mexhiti, duke përcjellë urimet për festën e 28 Nëntorit.
Me këtë manifestim, Komuna e Çairit përmbylli programin gjashtëditor “Çairi feston Nëntorin – 20 Vjet Krenari”, i cili përmes aktiviteteve arsimore, artistike dhe kulturore shënoi festat e Nëntorit dhe dy dekada nga vendosja e shtatores së Skënderbeut në Shkup.
Flaka















