Tetovë, nis edicioni i 13-të i Festivalit të Filmit “Watch Out”
Këtë vit konkurrojnë 630 filma nga 81 vende të botës, respektivisht nga 6 kontinente. Sipas organizatorëve, është në rritje gjithnjë tendenca që të ketë filma gjithnjë me kualitativ
Tetova do të jetë nikoqir i edicionit të 13 të Festivalit të Filmit “Watch Out”. Ky festival do të zgjasë tre net, ndërsa fillon më datë 12 dhe përfundon më 15 qershor. Si zakonisht, vendi ku do të shfaqen filmat është amfiteatri përballë Muzeut të Partisë Komuniste në Tetovë. Ky Festival, sikurse në të kaluarën, edhe këtë vit organizohet nga Qendra për Bashkëpunim Ballkanik “Loja”, me seli në Tetovë. Këtë vit konkurrojnë 630 filma nga 81 vende të botës, respektivisht nga 6 kontinente. Sipas organizatorëve, është në rritje gjithnjë tendenca që të ketë filma gjithnjë me kualitativ, raporton gazeta KOHA.
“Kemi prurje fantastike të filmave kualitativ dhe ajo që shohim është se kemi një tendencë të rritjes së filmave që konkurojnë dhe festivali po bëhet një pikë referimi për krijuesit, veçanërisht për krijuesit e Evropës juglindore”, tha Bujar Luma, drejtor i Qendrës për Bashkëpunim Ballkanik “Loja”.
Më tej, Luma tha se Festivali i Filmit “Watch Out”, edhe pse është i vetmi në Maqedoninë Perëndimore që mbahet në ambient të hapur, megjithatë asnjëherë nuk ka gjetur përkrahje nga institucionet përkatëse. Për dallim nga Festivalet e Filmave në vendet fqinje, sipas organizatorëve, buxheti për këtë festival ka mbetur i njëjtë që nga fillimet e tij, ndërsa në vendet tjera – buxheti rritet gjithnjë.
“Festivali jonë ka pak a shumë të njëjtën moshë që e ka edhe ‘Doku Fest’ në Prizren. E kemi filluar pak a shumë me të njëjtin buxhet të financave, ndërkohë që vazhdojmë të jemi te buxheti i njëjtë ose përkrahja e njëjtë që e kemi nga instituti Geothe në Shkup, ndërkohë që bashkëpunimi që ‘Doku Fest’ ka pasur me autoritetet e Pizrenit, nëse shihet nga aspekti financiar, është një imput i jashtëzakonshëm që i jepet qytetit gjatë muajit gusht, por mbi të gjitha ka ndikuar në hapjen e qytetit në vendosjen e urave shtesë të bashkëpunimit dhe kështu është në të gjithë festivalet, të cilët kemi pas mundësi t’i vizitojmë. Kjo është një motiv shtesë për autoritetet, të cilët duhet të bashkëpunojnë me organizuesit e evenimenteve kulturore, edukative”, tha Luma.
Të gjithë filmat do të shfaqen në versionin origjinal me përkthim në gjuhën angleze. “Filmat dëshmojnë se kinematografia është një urë lidhëse për botën dhe shkon përtej çdo kufiri. Jemi të lumtur të dëshmojmë se Watch Out është kthyer në një festë të kinematografisë dhe një pikë referimi për autorët e filmit dhe filmdashësit”, thonë nga Qendra për Bashkëpunim Ballkanik “LOJA”. (koha.mk)














