Borxhi prej 500 milionë euro: Qeverisë s’i bëhet vonë nëse paratë vijnë nga Kina!

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 20 Shtator, 2024 19:40

Borxhi prej 500 milionë euro: Qeverisë s’i bëhet vonë nëse paratë vijnë nga Kina!

“Fondet i marrim nga banka hungareze, dhe si financohen ato – pse do të kishte rëndësi për ne. Për mua është e rëndësishme ti marr ato para nga banka hungareze sipas kushteve të mia. Dhe për mua kjo ka rëndësi, lidhjet Maqedonia me Hungarinë. Më shumë nuk mund ta dijë”, tha Dimitrieska Koçoska duke i komentuar akuzat se 500 milionë eurot nga Hungaria, në fakt janë para kineze

Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska tha dje se ende qëndron pas premtimit se do të ketë rritje të pagave për punëtorët në arsimin fillor dhe të mesëm. “Të mbarojmë rishikimin e buxhetit dhe rritjes së pagave për të punësuarit në arsimin fillor dhe të mesëm i qëndroj me vendosmëri. Lufta ime është edhe sigurimi i mjeteve për rritjen e pagave në shëndetësi”, tha ministrja Koçoska, por nuk përmendi një afat kohor se kur mund të ketë rritje të pagave në arsim.

Koçovska poashtu informoi se Qeveria e re nuk ka ndarë asnjë licencë për organizimin e lojërave të fatit, ndërsa informoi se asnjë kompani në vend nuk ka licencë për organizimin e lojërave të fatit në internet, përfshirë këtu edhe Lotarinë Shtetërore.

“Në kreun 6 të Ligjit për lojërat e fatit thuhet qartë se duhet të ketë rregullore nga Ministria e Financave mbi bazën e të cilave do të licencohen kompanitë. Deri më tani, Ministria nuk ka ndonjë rregullore të brendshme në bazë të së cilës dikush mund të licencohet. Licenca që ka pasur Lotaria Shtetërore ka qenë në periudhën me dispozitat përfundimtare 2015-2017, periudhë në të cilën është dashur të përgatiten rregulloret, të cilat fatkeqësisht ende nuk janë gati dhe bazuar në këtë, do të thotë se çdo kompani është e licencuar, prandaj sipas ligjit, në këtë moment, në fushën e lojërave të fatit në internet nuk ka asnjë kompani të licencuar”, tha ministrja.

Ndërsa për akuzat e opozitës për kredinë e planifikuar nga Hungaria, se do të rritet borxhi i shtetit me ato mjete, ajo përsëriti qëndrimin se këto mjete i ka planifikuar edhe partia tashmë opozitare.

“Ato 500 milionë euro janë po ato që ishin planifikuar në buxhetin e tyre, këtu nuk kemi shtuar asgjë, janë identike. Dallimi është se duke dashur të tregojnë se huamarrja apo borxhi publik i shtetit do të jetë në një përqindje më të ulët, ata kanë fryrë artificialisht BPV-në, pra normën e rritjes. Ne thjeshtë e reduktuam atë, e reduktuam në diçka që presim të jetë realiste për vitin 2024. Dhe tani po mundohen t’i fusin në konfuzion qytetarët, ose t’i çojnë në një drejtim tjetër, se po rrisim borxhin publik”, u shpreh Koçovska.

Lidhur me vërejtjet se gjoja janë fonde kineze, Koçovska theksoi se fondet në vend vijnë zyrtarisht nga Hungaria dhe se historitë tjera, nuk i interesojnë Qeverisë së Shkupit.

“Fondet i marrim nga banka hungareze, dhe si financohen ato – pse do të kishte rëndësi për ne. Për mua është e rëndësishme ti marr ato para nga banka hungareze sipas kushteve të mia. Dhe për mua kjo ka rëndësi, lidhjet Maqedonia me Hungarinë. Më shumë nuk mund ta dijë. Ndoshta na i japin nga buxheti i tyre… Interesi Hungarisë është që ata të marrin 3.25% kamatë nga ne. Nuk shoh asnjë problem këtu, ne marrim mjete nga një shtet anëtar i BE-së dhe kjo është e rëndësishme për mua dhe Qeverinë tonë”, tha Dimitrieska Koçoska. (koha.mk)

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 20 Shtator, 2024 19:40