Armatosja e parlamentarizmit shqiptar dhe arsyet

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 17 Tetor, 2024 21:25

Armatosja e parlamentarizmit shqiptar dhe arsyet

Sot ka qenë një ditë turpi për parlamentin e Republikës së Shqipërisë. Gjithaq edhe për kodet udhëheqëse tradicionale të shqiptarit në shekuj, si të qëndresës ashtu dhe urtisë: kur mblidhet Kuvendi armët varen në lis (apo në rrap-sipas trevës) dhe radhën e ka fjala.

Në një Kuvend si ky i Elisës, së zënë në nyjën e shërbimit të verbër ndaj Ramës apo të të aktruarit si kryeparlamentare, përçudnimi ngjante i plotë. Me opozitën të përjashtuar apo të mbajtur jashtë me force, salla i ngjante asambleve të vendeve latino-amerikane nën juntë në messhekullin e shkuar. Prania e Gardës Republikane (është me qëllim ky ‘ngatërrim’ për ta ngjyrosur me hijen e asaj të Sadamit) ishte më e dukshme se e ligjvënësve: të vendosur jashtë dhe brenda sallës, gardistët ngjanin të pavend në një vend që është bërë për deputetët, dhe jo për forcat e sigurisë.

Rregullorja e Parlamentit e ka të qartë se gratë deputete ‘aksesohen’ vetëm nga gardistet femra. Një gardist i ishte mbështjellë si kulpër trupit të deputetes demokrate Elda Hoti: nga gjuha dhe vendosja e trupit dukej qartë në intimidim.

Çfarë mund të bënte deputetja Hoti që rrezikonte sigurinë e kolegëve dhe integritetin e Kuvendit? Do të qëndronte në këmbë përballë foltores dhe ta digjte kryetarthen me shikim prej Meduze? Do bënte flokët topuz dhe t’i gjuante së shenjtës Elisë? Do ta bënte takën e këpucës kokë heshte dhe t’ia ngulte në tulet e mbipeshës ministrit të Brendshëm?!

Në këtë kuptim, përleshja trup me trup e gardistëve me gratë deputete është armatosja e parë e parlamentarizmit shqiptar.

E dyta ndodhi në sheshin para Kuvendit, që u pushtua nga Forcat Speciale, në kundërshtim të hapur me ligjin, që ia lejon këtë perimetër Gardës. Prania e tyre ishte tejkalim ligjor dhe kërcënim i hapur për ligjvënësit dhe opozitarët, armatosje deri në dhëmbë e një hapësire që të vetmin dhëmb duhet të ketë shijen dhe përpunimin e ligjeve në interes të Republikës. Vënia e dorës në armë nga një prej Specialeve në përballjen me përfaqësuesin e opozitës Luan Baçi, në një perimetër që nuk është i tij dhe kundër një deputeti të mandatuar nga populli, është një moment që dëshmon një shkarje të rrezikshme.

Ky akt armatosjeje i hapësirës parlamentare është jo vetëm i paprecdentë, por edhe një shpallje lufte opozitës. Të zhvendosurit e Policisë në një kuadrat të hapësirës publike, ku nuk e ka të lejuar, nuk është një shkarje nga pakujdesia. Është një shtysë dhe garanci që vjen nga lart. Por, nuk duhet anashkaluar edhe elementi psikologjik i vetë policëve dhe shefave të tyre si shtysë.

Jo pak prej eksponentëve të Policisë figurojnë në bisedat e transkriptuara (vetëm një pjesë e tyre janë zbardhur dhe berë publike) si bashkëpunëtorë të krimit. Mbizelli i tyre për të mbrojtur qeverinë, dhe futja ne Kuvend në shkelje të ligjit, është edhe frika se me rënien e qeverisë bie mburoja për ta, dhe dosjet ku ata figurojnë, si shërbëtorë apo bashkëpunëtorë të narkove, do të kthehen kundër tyre.

Sistemi që sot i mbron, një ditë do t’u kthehet kundër. Hovja amatoreske dhe banditeske e Policisë në oborr të Kuvendit ishte përpjekja për ta shtyrë sa më larg në kohë atë ditë. Por, ajo vjen gjithmonë e hipur mbi shpatullat e ftohta të shpagimit.

71
SONDAZHI

A e lejon legjislacioni aktual që studentët shqiptarë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare?

Driton Zenku
Botuar nga Driton Zenku 17 Tetor, 2024 21:25
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin. Marrja e paautorizuar e teksteve dhe videove me të drejtë autoriale ose ndonjë përmbajtje të ngjashme pa pëlqimin paraprak me shkrim të Flaka Media do të konsiderohet shkelje e të drejtave autoriale dhe për këtë Flaka e ruan të drejtën të kërkojë kompensim përkatës monetar.Mosrespektimi dhe abuzimi i të drejtave autoriale dhe të drejtave simotër dënohet me ligj.Çdo marrje e paautorizuar, shfrytëzim, përdorim apo publikim i tekstit, fotografitë ose videot apo çfarëdo përmbajtje tjetër e ngjashme që paraqet pronësi të Flaka Media, pa pëlqim paraprak me shkrim nga redaksua, ndalohet rreptësisht dhe për të njëjtën paguhet kompensim përkatës financiar, për çka pronari ka të drejtë të nis procedurë përkatëse.Në rast të marrjes së teksteve autoriale dhe videove apo çfarëdo përmbajtje tjetër, në mënyrë të obligueshme nevojitet pëlqim paraprak nga Flaka Media dhe vendosje të linkut që do të çojë deri në web faqen e Flaka Media. Shkrimet nga MGID, nuk janë në menaxhim të redaksisë.
71
SONDAZHI

A e lejon legjislacioni aktual që studentët shqiptarë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare?

  • 2,8 miliardë euro në bixhoz: simptomë e një shoqërie në pasiguri – Çfarë flet sociologjia për fenomenin?