Skemat piramidale, DZB: Kujdes nga platformat investuese fiktive
Qytetarët të kenë kujdes nga platformat për realizim të shpejtë të fitimit, paralajmërojnë nga Drejtoria për Inteligjencë Financiare.
Nga kjo drejtori sqarojnë se në hapësirën onlajn ekzistojnë një sërë aplikacionesh mashtruese apo siç njihen si Task-Scam Apps, të cilat joshin qytetarët se deri te përfitimi arrihet përmes disa detyrave apo hapave që shumë lehtë realizohen dhe ofron pagesa të vogla e direkte.
“Aplikacioni apo platforma funksionon një kohë të caktuar me qëllim që të fitojë besim dhe të tregojë që mundësia për fitim është legjitime. Këto aplikacione nuk kanë shërbim apo produkt real dhe paraqesin paravan pas së cilit fshihen të ashtuquajturat skema piramidale, gjegjësisht financohen nga investimet e anëtarëve të rinj. Pas një kohe të caktuar organizatorët shuajnë apo mbyllin platformën, kurse mjetet që personat i kanë deponuar në këto platforma asnjëherë nuk do të kenë mundësi t’i kthejnë.”.
Gjithashtu, drejtoria u bën thirrje këmbimoreve që merren me kripto-mjete, që të respektojnë Ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
“Të zbatojnë masat dhe veprimet për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit e që përfshin përgatitjen e vlerësimit të riskut lidhur me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit dhe të njëjtën rregullisht ta përditësojnë. Të sjellin dhe të aplikojnë program për uljen dhe menaxhimin e riskut të identifikuar lidhur me pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, analizë të klientëve, gjegjësisht identifikimin e çdo transaksioni pavarësisht nga shuma, njoftimi dhe raportimi i të dhënave, informatave dhe dokumenteve në drejtori.”.
Nga drejtoria bëjnë thirrje që qytetarët që kanë rënë pre e këtyre mashtrimeve, të njëjtat t’i paraqesin tek organet kompetente. (TVM2)
















