Procesi eurointegrues, Murtezani takon ambasadorin bullgar
Ministri për Eurointegrime, Orhan Murtezani, mbetet optimist se me formimin eventual të Qeverisë legjitime pas zgjedhjeve në Bullgari do të krijohen kushte më të mira dhe partner relevant në diskutimet dypalëshe mbi zgjidhjen e kontesteve me Sofjen, që njëherit janë pengesë e rrugës eurointegruese të vendit. Këtë mendim Murtezani e ka shprehur në takim me ambasadorin e sapoemëruar të Bullgarisë në vend, Zheljasko Radukov.
“Murtezani dhe Radukovi theksuan rëndësinë e konsolidimit të besimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, posaçërisht në kontekst të procesit të integrimit evropian, tek i cili duhet shikuar si prioritet i përbashkët strategjik. Në bisedë u potencua angazhimi i dialogut konstruktiv dhe transparent, me qëllim të promovimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe zgjidhjen e sfidave të përbashkëta në frymën e bashkëpunimit dhe partneritetit.”, – thuhet në kumtesën e lëshuar nga kabineti i ministrit, Murtezani.
Taravari: Jam optimist, të punojmë të gjithë
Edhe kryetari i ASh-së, Taravari, potencon nevojën e vazhdimit të rrugës evropiane. Sipas tij, kontribuues në zhbllokimin e kësaj strategjie duhet të jenë të gjithë, që momentalisht është e penguar nga mosmiratimi i ndryshimeve kushtetuese.
“Maqedonia patjetër të vazhdojë rrugëtimin evropian. Unë jam shumë optimist, sepse tash kemi vizita prej zyrtarëve të lartë nga Bashkimi Evropian që vijnë në Maqedoni pasnesër. Shpresoj se të gjithë nga pak do ta ndihmojmë procesin dhe do të mundohemi që Maqedonia deri në fund të vitit t’i fillojë ndryshimet kushtetuese.”, – theksoi kryetari i ASh-së, Arben Taravari.
Ndërkohë, në përpjekje për ta vazhduar rrugën eurointegruese, kryeministri Mickoski, javëve të fundit është me agjendë takimesh me politikanë evropianë. Opinioni publik është në pritje të vendimit përfundimtar të shefit të ekzekutivit për letrën e paralajmëruar në adresë të institucioneve të BE-së, që lidhet me propozimet e reja për vazhdimin e negociatave, respektivisht hapjen e kapitujve me Unionin.














