Ankara, sulm i armatosur në TUSAS, katër të vrarë, 14 të plagosur
Një grup sulmuesish shpërthyen një bombë dhe shtinë me armë zjarri të mërkurën në ndërtesën e kompanisë së mbrojtjes dhe hapësirës ajrore të Turqisë, TUSAS, duke i vrarë katër njerëz dhe duke i plagosur disa të tjerë, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.
“Kemi katër martirë. Kemi 14 të plagosur. E dënoj këtë sulm terrorist dhe u uroj mëshirë martirëve tanë.”, tha Erdogan në një takimi me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në margjinat e samitit të BRICS në Kazan të Rusisë.
Të paktën dy nga sulmuesit u vranë, tha ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Jerlikaja. Selim Cirpanoglum, kryetar i qarkut të Kahramankazanit, tha për Associated Press se sulmi është frenuar, por nuk ishte në gjendje të jepte më shumë hollësi.
Nuk është e qartë se kush qëndron pas këtij sulmi. Televizioni privat NTV raportoi se një grup sulmuesish mbërritën në hyrje të ndërtesës së kompanisë me një taksi dhe se sulmuan personelin e sigurisë. Një nga sulmuesit e shpërtheu një bombë, ndërsa të tjerët ia dolën të futen brenda ndërtesës. NTV-ja raportoi se të shtënat me armë brenda ndërtesës vazhduan dhe se disa punonjës mund të jenë marrë peng.
TUSAS prodhon avionë dhe helikopterë ushtarakë dhe civilë, si dhe sisteme dronësh për Forcat e Armatosura të Turqisë dhe për vende të tjera të botës.














