Milloshoski: BDI duhet të fokusohet në reformimin e partisë, jo të dërgojë letra patetike
BDI duhet të fokusohet në reformimin e partisë, e jo të dërgojë letra patetike, thotë deputeti dhe anëtari i KE-së së VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshoski në Ditarin qendror në televizionin Sitel, përcjell FLAKA.
Por nga ana tjetër, thekson Milloshoski, BDI-ja e ka të vështirë të ballafaqohet me pozitën në opozitë dhe beson se kryetari i tyre, Ali Ahmeti, padyshim, në përpjekje për të tërhequr vëmendjen e qeverisë aktuale dhe të bashkësisë ndërkombëtare, hap në mënyrë manipulative tema që nuk korrespondojnë me realitetin.
Për letrën që Ahmeti ia ka dërguar sot kryeministrit Hristijan Mickoski, Milloshoski thotë se po kundërshton vetveten, sepse ai personalisht para disa vitesh ka konfirmuar se Marrëveshja e Ohrit ka qenë punë e përfunduar dhe e ka riemërtuar partinë si të gjelbër.
“Së pari, vetë Ali Ahmeti e kundërshton veten me këtë letër të shkruar, sepse ai personalisht si kryetar i BDI-së në vitin 2021 këtu në Shkup ka promovuar në ditëlindjen e BDI-së se Marrëveshja e Ohrit është punë e kryer, çështjet kombëtare janë mbyllur dhe prandaj BDI është shndërruar në një parti e gjelbër me agjendë për mjedisin”, thotë Milloshoski.
Ahmeti i BDI-së u dërgoi një letër liderëve ndërkombëtarë për të shprehur shqetësimin për vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e balancuesit dhe rishikimin e paralajmëruar të Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Sipas Ahmetit, situata është e rëndë.
Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se nuk e ka parë letrën e dërguar nga lideri i BDI-së Ali Ahmeti lidhur me vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese dhe ndikimin e tyre në kohezionin ndëretnik dhe qëndrueshmërinë e vendit, por thekson se duhet kushtuar vëmendje për çdo letër nga çdo qytetar. FLAKA
















