Antony thyen heshtjen për largimin nga Man Utd, mesazh për tifozët e Real Betis
Ish-lojtari i Manchester United, Antony, ka rigjetur formën e tij në huazim te Real Betis në Spanjë.
Antony ka folur për herë të parë rreth largimit nga Manchester United pas fillimit të shkëlqyer që ka pasur me Real Betis.
United shpenzoi 86 milionë paund për ta transferuar brazilianin nga Ajax në vitin 2022, por pavarësisht se kishte punuar më parë me Erik ten Hag, ai nuk arriti të shfaqte formën e tij më të mirë në “Old Trafford”, duke shënuar vetëm 12 gola në 96 ndeshje.
Pas më shumë se një viti pa shënuar gol, Antony e pati të vështirë të siguronte minutazh nën drejtimin e trajnerit të ri, Ruben Amorim, dhe për këtë arsye u lejua të bashkohej me Betis në huazim gjatë janarit.
Megjithatë, 24-vjeçari ka gjetur formën në Andalusi. Pas asistimit në debutim për Isco, ai u shpall “Lojtari i Ndeshjes” në sfidat kundër Athletic Bilbao dhe Celta Vigo – duke shënuar golin e parë me klubin ndaj këtyre të fundit.
Antony realizoi një tjetër gol në fitoren 3-0 ndaj Gent në Conference League të enjten mbrëma, duke shënuar me një goditje të bukur nga krahu i djathtë në minutën e 47-të.
Pas ndeshjes, braziliani foli për golin dhe për fitoren e rëndësishme për ekipin e Manuel Pellegrinit, duke theksuar se është shumë i lumtur në ambientin e ri.
“Në zemrën time e dija që do të isha shumë i lumtur te Betis, isha i sigurt për këtë,” tha Antony, sipas Fabrizio Romano.
“Kjo fitore shkon për tifozët, ata nuk ndalen kurrë së na mbështeturi.”
Trajneri Pellegrini e ka lavdëruar brazilianin, duke e quajtur një lojtar “të uritur”, “ambicioz” dhe “të shkëlqyer”. Antony është i huazuar për gjashtë muaj, ndërsa Betis po paguan një pjesë të pagës së tij.
Betis i hapur për transferim të përhershëm
Edhe pse është ende nën kontratë me Manchester United deri në vitin 2027, talenti i akademisë së Sao Paulo mund të qëndrojë në Spanjë nëse vazhdon me këto paraqitje.
“Po, mendoj se është e mundur,” tha CEO i Betis, Ramon Alarcon, kur u pyet nëse Antony mund të qëndrojë përtej këtij sezoni.
“Ditën tjetër CEO i United më telefonoi. Ne u dërgojmë atyre raporte javore për lojtarin, në mënyrë që të shohin se po kujdesemi për asetet e tyre. Kemi një marrëdhënie shumë të mirë me United dhe me lojtarin, i cili është i lumtur këtu. Pse të mos vazhdojë edhe sezonin e ardhshëm?”
Betis do të rikthehet në fushë të dielën përballë Real Sociedad në La Liga. /GazetaExpress/
















