Tubumi i FRASH-it, reagon FRBDI-Gostivar
Grupacioni politik, nën udhëheqjen e Arben Taravarit, po shfrytëzon shkollat dhe nxënësit për aktivitete dhe interesat e tyre strikte partiake, thuhet në fillim të reagimit të FR-BDI Gostivar.
“Këtë po e dëshmon veprimi i djeshëm ku nxënësit e shkollave të mesme të Gostivarit u detyruan të lënë orët mësimore pët të marrë pjesë në takimin e grupacionit politik të Arben Taravarit. Videot që po qarkullojnë nëpër rrjetet sociale janë dëshmi e qartë e këtij abuzimi: klasat e boshatisura janë një shenjë e keqpërdorimit të nxënësve dhe përfshirjes së tyre në aktivitetet politike.
Nxënësit janë të rinjtë e këtij vendi dhe ata meritojnë të përqendrohen te arsimi i tyre, jo të abuzohen për qëllimet e politikës ditore.
Shkollat janë institucione për edukim ku duhet të përgatitet brezi i ardhshëm në rrafshin profesional, dhe jo për t’i shndërruar ata në “kope” që veprojnë sipas urdhrave të partisë”, vijon reagimi.
“Për këtë arsye, kërkojmë përgjegjësi për këto veprime dhe që autoritetet përkatëse të ndërhyjnë menjëherë për të ndaluar keqpërdorimin e institucioneve shkollore dhe nxënësve për qëllime partiake.
Përgjegjësia bie mbi Arben Taravarin dhe grupacionin e tij politik, që të ndërpresin këto praktika dhe të rikthejnë shkollat në vendin ku nxënësit mund të marrin arsim dhe dije pa u ndikuar nga politika”, përfundon reagimi nga FRBDI-Gostivar.
















