Arta Toçi: Intelektualët të dalin në mbështetje të studentëve shqiptarë
Arta Toçi ka bërë thirrje për mbështetje të gjerë ndaj protestës së studentëve shqiptarë për mbrojtjen e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se kjo kauzë nuk duhet të mbetet vetëm në duart e të rinjve.
Ajo vlerëson se studentët nuk po kërkojnë privilegje, por respektimin e një të drejte themelore, ndërsa heshtja ndaj kërkesave të tyre, sipas saj, do të nënkuptonte heshtje përballë degradimit të identitetit kulturor dhe kombëtar shqiptar.
“Toçi” thekson se intelektualët, profesorët dhe akademikët kanë përgjegjësi morale dhe shoqërore që të qëndrojnë në anën e studentëve, pasi, siç shprehet ajo, çështjet kombëtare dhe kulturore janë mbrojtur gjithmonë nga “zëri i dijes dhe ndërgjegjes akademike”.
“Është koha që profesorët dhe elita intelektuale të mos qëndrojnë neutrale. Mbështetja për studentët është mbështetje për gjuhën shqipe, për barazinë dhe ekzistencën e tyre”, shkruan Arta Toçi.
Ajo e mbyll reagimin me mesazhin: “Një popull që hesht, i lë brezave të ardhshëm barrën e asaj që duhet mbrojtur sot! Me studentët!”
Protesta e studentëve shqiptarë është paralajmëruar të mbahet më 18 maj 2026. Gazeta Flaka
















