Newborn dhe lindja e një tjetër epoke
Më 17 shkurt 2008, Fatmir Sejdiu, Jakup Krasniqi dhe Hashim Thaçi, përveç se ishin të parët që nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, atë ditë të ftohtë shkurti u bënë gjithashtu të parët që hodhën firmat e tyre në një obelisk gjigant i ngjyrosur në të verdhë që simbolizonte lindjen e shtetit të ri dhe shpresën për një të ardhme më të mirë, i cili më pastaj u nënshkrua mbi 150 mijë njerëz, po atë natë
Që nga ajo kohë, obelisku i përbërë nga shkronjat e mëdha që formojnë fjalën “NEWBORN” nuk ka ndryshuar vendndodhje, por vetëm pamjen, duke reflektuar tema të ndryshme sociale dhe duke përcjellë mesazhe të veçanta politike.
I vendosur në qendër të Prishtinës, NEWBORN-i, përveçse një atraksion për vendasit, u bë edhe një simbol përfaqësues i Kosovës në arenën ndërkombëtare, saqë krijuesi i tij fitoi edhe çmimin prestigjioz ndërkombëtar “Luani i Artë” për dizajn.
Që nga viti 2013, monumenti ndryshon dizajnin çdo vit.
Shtysa për këtë ishte një vendim i qeverisë, për ta ngjyrosur krejtësisht me të verdhë monumentin, me arsyetimin se ashtu po e kthenin në gjendjen fillestare. Por, pas insistimit të krijuesit dhe qytetarëve, monumenti u ngjyros me flamujt e shteteve që deri atëherë kishin njohur pavarësinë e Kosovës.
Një vit pas, në të shtatin të përvjetor të pavarësisë, ngjyrat e monumentit ishin ato të uniformave të ushtarëve që kishin ndihmuar në çlirimin e vendit. Secila shkronjë kishte marrë ngjyrat dalluese të uniformave ushtarake të vendeve kryesore të NATO-s. Ishte kjo në shprehje e nderimit dhe falënderimit, gjashtëmbëdhjetë vjet pasi aleanca veriatlantike, përmes një fushate bombardimesh, të nisur më 24 mars 1999, i dha fund luftës dhe shqiptarëve të Kosovës u dha lirinë.
Në vitin 2016, shkronjat gjigande të NEWBORN-it u mbuluan me re, por gjithashtu edhe me tela me gjemba, përmes së cilës u përcoll mesazhi për vështirësitë që kosovarët hasnin në marrjen e vizave për të udhëtuar në pjesën më të madhe të Evropës.
Simbolikat tjera të monumentit përfshijnë: NoNewWalls më 2017, që paraqiste kundërshtimin për ndërtimin e mureve ndarëse në veriun e vendit; dhjetëvjetori i pavarësisë, në vitin 2018; vetëdijësimin për rëndësinë e ruajtjes së mjedisit më 2019. Në vitin e pandemisë monumenti ishte simbolikë për viktimat e dhunës seksuale në luftëra dhe konflikte. Dhe në katër vitet e fundit shpërfaqi nderimin për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe për gratë e vajzat shqiptare; kundërshtimin karshi presionit ndërkombëtar për një marrëveshje me Serbinë; dhe përmes shtatë qiejve të qyteteve Evropiane, çlirimin e qytetarëve të Kosovës nga ngujimi, pas liberalizimit të vizave.
Simboli i Pavarësisë së Kosovës NEWBORN, do të shfaqet sërish me ngjyra dhe një mesazh të ri edhe këtë 17 shkurt. Puna për regjenerimin e këtij obelisku i cili nisi ditë më parë pritet të përfundojnë shumë shpejtë për të qenë i gatshëm për shënimin e 17 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Sikurse viteve të tjera edhe për këtë vit, krijuesi i NEWBORN, Fisnik Ismaili sjell një mesazh të ri, ku për Albanian Post, bëri të ditur se këtë vit mesazhi do të përfshijë elemente të Inteligjencës Artificiale, duke shtuar një dimension të ri dhe inovativ në këtë projekt simbolik.
“Tema ka të bëjë me inteligjencën artificiale dhe me mënyrën se si ajo po bëhet pjesë integrale e jetës tonë, për të mirë apo për të keq ajo po bëhet pjesë e përditshmërisë tonë dhe ne duhet të adaptohemi me të”, tha ai për AP.
Monumenti NEWBORN, që simbolizon lindjen e shtetit të Kosovës, u realizua në një kohë prej vetëm 11 ditësh. Monumenti është ndërtuar me skelet çeliku dhe i mbuluar me një shtresë metalike 4 milimetër të trashë. Çdo shkronjë e tij ka lartësi prej tre metrash dhe peshon afërsisht një ton.
Në atë ditë, mbi 150 mijë njerëz vendosën nënshkrimet e tyre në këtë monument, ndër ta edhe presidenti i atëhershëm, Fatmir Sejdiu, dhe kryeministri Hashim Thaçi, të cilët ishin të parët që nënshkruan.
Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008.
Sipas listës së publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Punëve të Jashmte dhe Diasporës, mbi 100 vende të botës e kanë njohur atë.
Për 15 vjet shtetësi, Kosova është anëtarësuar në disa dhjetëra organizata ndërkombëtare, por nuk është ende anëtare e mekanizmave botërorë si Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe as e atyre evropianë si Bashkimit Evropian, Parlamenti Evropian, Këshilli Evropian e ai i Evropës. (AP)
















