U dorëheq apo e shkarkuan ? Trajanovski nuk është më nënkryetari i qytetit të Shkupit!
Nënkryetari i qytetit të Shkupit Aleksandar Trajanovski sot ka dhënë dorëheqje nga posti i tij. Ai në seancën e sotme të Këshillit të Qytetit të Shkupit deklaroi se këtë e bën për shkak se të punësuarit në këtë komunë janë nën mobing dhe ngacmime të vazhdueshme nga kryetarja Danella Arsovska.
Ai tha se qytetin e udhëheq BDI-ja e Sarajit dhe se kryetarja Arasovska nuk po lufton kundër ndarjes partiake siç thotë ajo dhe as nuk po i realizon projektet nga programi që e ka premtuar.
“Luftova me zell për miratimin e buxheteve vjetore të qytetit dhe programeve të ndërmarrjeve publike, negociova, debatova me kolegët këshilltarë për të mbështetur dhe votuar programin dhe zërat e buxhetit të propozuar. Sikur dikush të më thoshte atëherë se të gjitha këto po i bëj që qyteti i Shkupit dhe ndërmarrjet publike të menaxhohen dhe të drejtohen nga një ekip i Sarajit dhe BDI-së, unë do ta refuzoja menjëherë….. Nuk pranoj të jem nënkryetar vetëm i Sarajit, as nuk pranoj që qyteti të kënaqë vetëm nevojat e ekipit të Sarajit”.
Pas deklaratës së Trajanovskit, ka reaguar Qyteti i Shkupit. Sipas tyre Trajanovski është shkarkuar nga detyra para tre muajsh për shkak të dëmtimit të reputacionit të qytetit, moskryerjes së detyrës dhe moskryerjes së funksionit të nënkryetarit.
“Ky person nuk ka pasur gjithsej 3 minuta aktive në funksionin e tij. Kërkesa e vetme e këtij personi për të cilën ka dijeni administrata e qytetit është dëshira e tij për të marrë një zyrë, një automjet kompanie dhe një telefon kompanie. Ky person nuk ka pasur asnjë komunikim tjetër, aq më pak sa i përket kontributit aktiv në punën e qytetit, në dy vitet e fundit. Sa i përket akuzave të Trajanovskit për një lloj ndikimi nga BDI’, duam t’i mohojmë plotësisht ato si lajme të rreme dhe akuza joserioze”.
Lidhur me dorëhejqen e Trajanovskit reagim pati edhe nga VMRO DPMNE. Ata thane se Trajanovski është vonuar plot 3 vite për të njohur personalitetin e Arsovskës.
“Dorëheqja e tij nga posti i nënkryetarit nuk është pasojë e revoltës së tij ndaj njerëzve të Arsovskës, por me siguri për shkak të interesave të parealizuara të biznesit në detin e interesave të përqendruara rreth Danella Arsovskës. Kujtojmë se Trajanovski ishte në rolin e ‘avokatit të djallit’ dhe mbrojtësit të Arsovskës deri në momentin e fundit, më saktësisht deri në seancën e fundit të Këshillit, ku u bind se Arsovska e gjorë ishte viktimë, jo agresore dhe shkatërruese e qytetit të Shkupit”.
Trajanovski është emëruar nënkryetar komune në shtator të vitit 2022.
















