Përshpejtohen aktivitetet në aksin Kërçovë – Ohër, ja kur pritet të lëshohen kilometrat e parë
Puna në autostradën Kërçovë – Ohër është përshpejtuar ndjeshëm, ndërsa në terren tashmë vërehen aktivitete si vendosja e gardhit mbrojtës dhe shënjimi i sinjalistikës horizontale.
Ky projekt, i cili pritet prej më shumë se një dekadë, së shpejti do të hapet pjesërisht për qarkullim, konfirmoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, gjatë një interviste në televizionin Sitel.
“Fjala e dhënë po përmbushet! Pavarësisht sfidave të shumta, ne po punojmë aktivisht për t’i zgjidhur ato. Në përgatitje janë ndryshime ligjore që do të lehtësojnë ndërtimin e autostradës. Ato do të shqyrtohen në mbledhjen e qeverisë dhe më pas në Kuvend. Qëllimi ynë është që para fillimit të sezonit veror të hapim për qarkullim 40 kilometra të trasës,” deklaroi Nikolloski.
Segmenti që do të hapet përfshin rrugën nga fshati Vrbjan deri në Ohër, me përjashtim të zonës pranë fshatit Botun, ku ka sfida me stabilitetin e shpateve. Autostrada, me një gjatësi totale prej 57 kilometrash, do ta shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit mes Kërçovës dhe Ohrit.