Borxhi publik, çdo qytetar i Maqedonisë së Veriut ka 5.300 euro borxh
Borxhi publik i Maqedonisë së Veriut është rritur dhe tani është 62.4 përqind e BPV, që është për 14 përqind mbi nivelin që ishte para pandemisë, raporton DW.
Maksimilian Paoluçi, drejtori i Zyrës së Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, theksoi se këto janë borxhe nga deficiti i vazhdueshëm fiskal nga pandemia, që mesatarisht është 5 përqind në vjet.
Sipas tij, rregullat e reja fiskale dhe institucionet do të funksionojnë më mirë në vendosjen e financave të shëndosha publike, nëse institucionet e pavarura fiskale vlerësojnë parashikimet makrofiskale të qeverisë dhe veprojnë në përputhje me rregullat.
Në bazë të të dhënave të Ministrisë për Financa, shteti ka borxh 9.6 miliard euro, apo 5 300 euro për çdo banor. Në vitin 2020, borxhi për çdo qytetar ka qenë 3 500 euro.
Ndryshe, në nivel vjetor, ndërmarrjet publike të themeluara nga shteti dhe kompanitë në pronësi shtetërore e kanë “fryrë” ndjeshëm borxhin e brendshëm, me një rritje prej mbi 217 milionë euro.
Ndërmarrjet publike komunale dhe komunat gjithashtu raportuan rritje të detyrimeve të prapambetura, por të papaguara. Sipas përllogaritjes së “Portalb”-it, vetëm tre kompani në pronësi shtetërore “gjenerojnë” madje 38% të totalit të borxhit të brendshëm.