35 vite krijimtari artistike, Reshat Ameti: Artistët duhet gjithmonë të krijojnë

Flaka
Botuar nga Flaka 13 Mars, 2025 17:22

35 vite krijimtari artistike, Reshat Ameti: Artistët duhet gjithmonë të krijojnë

Piktori i njohur Reshat Ameti ka shënuar 35 vite krijimtari artistike, duke u bërë një nga emrat më të spikatur të artit bashkëkohor në Maqedoninë e Veriut dhe më gjerë. Me një stil unik dhe një prani të vazhdueshme në ekspozita kombëtare e ndërkombëtare, Ameti ka sjellë një kontribut të rëndësishëm në skenën artistike.

Në hapjen e ekspozitës së tij “Rrugëtimi im në art”, për emisionin Ftesë në Studio me moderatoren Ilmie Zhaku, artisti foli për sfidat dhe kënaqësitë e rrugëtimit të tij në art. I pyetur për sfidat që kalojnë artistë, ai theksoi se artistët përballen me sfida administrative që shpesh i pengojnë në zhvillimin e tyre profesional.

“Sfidat më të mëdha të artistëve janë punët administrative, përgatitja e ekspozitave, dokumentet, transporti jashtë vendit. Këto janë gjëra që e mundojnë artistin, por është shumë e rëndësishme të të ftojnë jashtë. Bota ka shumë artistë, Perëndimi ka shumë artistë, dhe të ftojnë një shqiptar nga Maqedonia në Gjermani apo kudo tjetër është shumë e rëndësishme”, tha Reshat Ameti, piktor.

Duke folur për mbështetjen institucionale, Ameti u shpreh se Ministria e Kulturës ka ndihmuar në një pjesë të vogël të projekteve të tij, por artisti nuk mund të mbështetet vetëm tek institucionet për të arritur suksesin.

“Ministria e Kulturës 10% të projekteve të mia i ka përkrahur, për shkak se kam shumë aktivitete dhe shteti s’mund të më ndjekë me aktivitetin që kam. Megjithatë, Ministria e Kulturës, me atë buxhet që ka, i ka ndihmuar artistët. Për mua nuk kanë qenë asnjëherë të mjaftueshme, por artisti, nëse pret prej institucioneve që të bëhet artist, kot e ka. Artisti duhet vetëm të krijojë. Bota profesionale, nëse je i vlefshëm, profesioni të gjen. Arti ka gjithmonë nevojë për financë, por nëse je artist i mirë dhe këmbëngulës, gjërat vijnë gradualisht.”, theksoi Ameti.

Reshat Ameti vazhdon të jetë aktiv në skenën artistike dhe të frymëzojë breza të rinj me punën e tij, duke dëshmuar se pasioni dhe përkushtimi janë çelësi i suksesit në art.

Flaka
Botuar nga Flaka 13 Mars, 2025 17:22