BDI: Katër vite nga nënshkrimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve
Sot shënojmë katërvjetorin e nënshkrimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve – momenti kur pjesa legjislative e Marrëveshjes së Ohrit u përmbyll, duke i dhënë gjuhës shqipe vendin e merituar në shtetin tonë multietnik, kumtuan nga BDI
Kumtesa:
Ky ligj nuk ishte thjesht një rregullim juridik, por një akt historik që vulosi barazinë dhe stabilitetin institucional të vendit.
Por, katër vjet më vonë, shpirtrat anti-Ohër janë zgjuar sërish për të goditur aty ku zinxhiri është më i brishtë, aty ku mund të shkaktojnë më shumë përçarje – në çështjen e gjuhës, simbolin më të madh të barazisë dhe harmonisë ndëretnike.
Përpjekjet për të vënë në pikëpyetje kushtetutshmërinë e këtij ligji nuk janë asgjë tjetër veçse një sulm ndaj vetë themeleve të bashkëjetesës dhe orientimit euro-atlantik të vendit.
BDI e konsideron këtë ndërhyrje të dirigjuar politikisht një akt regresiv, që nuk synon as drejtësi dhe as rregull institucional, por krijimin e tensioneve dhe hapjen e plagëve të së kaluarës.
Çdo tentativë për të kontestuar ligjin e gjuhës është një tentativë për të kontestuar Marrëveshjen e Ohrit dhe vetë rendin kushtetues të Maqedonisë së Veriut.
Ne u bëjmë thirrje të gjitha institucioneve shtetërore dhe faktorëve ndërkombëtarë që të mos lejojnë që vendi të rrëshqasë në rrugën e revizionizmit, që mund të çojë drejt një krize të thellë politile dhe institucionale me pasoja të paparashikueshme.
BDI do të mbrojë me çdo mjet demokratik Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe nuk do të lejojë kthim pas.
Barazia gjuhësore është e drejtë e pamohueshme dhe do të mbetet e tillë.