Flaka Editorial – Dhjetë vjet pas “Lagjes së Trimave”: Pyetje që kërkojnë përgjigje
Editorial Flaka
Dhjetë vjet pas ngjarjes së përgjakshme të 9 dhe 10 majit 2015 në Kumanovë, e njohur tashmë si rasti i “Lagjes së Trimave”, Maqedonia e Veriut vazhdon të përballet me hijet e një historie të pashpjeguar.
Një përplasje e armatosur në zemër të një lagjeje urbane, dhjetë të vrarë nga grupi i armatosur, tetë policë të vrarë dhe dhjetëra të plagosur nga të dyja palët, dhjetëra shtëpi të shkatërruara, dhe mbi të gjitha – një heshtje shtetërore mbi atë që realisht ndodhi.
Vendimet gjyqësore janë dhënë. Dënime të përjetshme, burgime dhjetëra vjeçare, akuza për terrorizëm – por drejtësia nuk është thjesht një çështje e dënimit penal. Është edhe çështje e zbardhjes së së vërtetës. Dhe e vërteta, në këtë rast, mbetet e mjegullt, e ngarkuar me spekulime, dyshime dhe mungesë transparence.
Pretendimet për inskenim politik, për implikim të shërbimeve sekrete, për përdorimin e grupit si mjegullnajë për të mbuluar publikimin e “bombave” që tronditën pushtetin e Gruevskit, nuk u trajtuan seriozisht nga drejtësia.
Përkundrazi, ata që kërkuan hetim ndërkombëtar – nga përfaqësues politikë në Maqedoni, Kosovë, Shqipëri e deri te eurodeputetë dhe organizata ndërkombëtare – mbetën pa përgjigje.
Si mund të ketë drejtësi kur nuk dihet e vërteta? Si mund të mbyllen dyert e një rasti që ka tronditur një shtet, një rajon, pa asnjë përpjekje për hetim të pavarur? Hetimi ndërkombëtar u përmend, u premtua, u përfshi në marrëveshje politike, por s’u realizua kurrë.
Komisioni Anketues parlamentar, i cili duhej të hapte dritaret e errëta të këtij rasti, as nuk funksionoi.
Edhe pse protagonistët e ngjarjes janë dënuar rëndë, drejtësia nuk mund të mbetet vetëm një akt formal. Pa zbardhje të plotë dhe të besueshme të rrethanave, motivimit, porositësve dhe përgjegjësve të vërtetë – ky rast do të mbetet një plagë e hapur në ndërgjegjen kolektive të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut dhe më gjerë.
Qytetarët e Kumanovës, të cilët përjetuan tmerrin e luftës në prag të shtëpisë, meritojnë përgjigje. Familjet e policëve të vrarë dhe të të dënuarve meritojnë drejtësi. Shoqëria meriton të dijë të vërtetën – për të ndërtuar paqe të qëndrueshme dhe besim në shtetin e së drejtës.
Nëntë vjet më vonë, më shumë se kurrë, na duhet jo vetëm drejtësi, por drejtësi e besueshme. E kjo nuk arrihet pa zbardhje të plotë dhe transparente, me pjesëmarrjen e ekspertëve ndërkombëtarë, të liruar nga ndikimet politike dhe etnike. Çdo vonesë e mëtejme vetëm sa e rrit dyshimin, dhimbjen dhe distancën mes institucioneve dhe qytetarëve.
Lexo edhe: 10 vjet nga “Lagjja e Trimave”: Një plagë që ende nuk është mbyllur
















