Mickoski autorizon Nikolloskin për të nënshkruar kontratën strategjike
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi sot se këtë javë do të nënshkruhet Marrëveshja për Partneritet Strategjik me Mbretërinë e Bashkuar, nga e cila vendi do të përfitojë rreth 6 miliardë euro për projekte strategjike. Sipas Mickoskit, nënshkrimi do të realizohet të mërkurën ose të enjten në Londër, nga zëvendëskryeministri dhe ministri për Transport, njofton Flaka
“Në mbledhjen e sotme të Qeverisë do të autorizohet ministri i Transportit që të shkojë në Londër për ta nënshkruar Marrëveshjen. Kështu do të fillojë zbatimi i projekteve ekonomike që e transformojnë shtetin,” – deklaroi Mickoski.
Një nga projektet kryesore që do të financohet nga kjo marrëveshje është modernizimi i hekurudhës në Korridorin 10, nga Tabanoci deri në Gjevgjeli. Projekti përfshin ndërtimin e një binarit të dytë hekurudhor, duke mundësuar që trenat për transport mallrash të qarkullojnë me një shpejtësi mesatare mbi 110 km/h, krahasuar me aktualisht vetëm 25 km/h. Ndërkohë, trenat për pasagjerë do të arrijnë deri në 160 km/h.
Përveç infrastrukturës hekurudhore, Marrëveshja do të financojë edhe investime në sektorin e shëndetësisë, përfshirë:
- Përfundimin e Qendrës Klinike në Shtip, që do të përfshijë Fakultetin e Mjekësisë dhe një konvikt studentor me 200 shtretër.
- Ndërtimin e Spitalit të ri në Kërçovë.
- Rikonstruimin e plotë të Spitalit Klinik në Tetovë.
Mickoski theksoi se këto janë investime transformuese për vendin dhe se ato do të pasohen nga projekte të tjera në energjetikë, transport dhe sektorë të tjerë strategjikë.
Në fund të fjalës së tij, ai kritikoi opozitën për reagimet e saj ndaj marrëveshjes:
“Me të vërtetë nuk e kuptoj strategjinë e tyre të komunikimit. Në vend që të mbështesin investimet kapitale, japin komente që shpeshherë janë qesharake,” – tha ai.
Marrëveshja konsiderohet një nga më të mëdhatë që ka realizuar ndonjëherë Maqedonia e Veriut në bashkëpunim me një shtet perëndimor, dhe pritet të ketë ndikim të ndjeshëm në zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor të vendit. Flaka
















