Arben Taravari në Tiranë: Dy anët e medaljes që e forcojnë si lider
Editorial: Flaka
Vizita e sotme e Arben Taravarit në Tiranë solli me vete më shumë sesa një takim politik protokollar. Ajo ishte një moment kthesë – dhe jo vetëm për shkak të jehonës që krijoi në opinion, por sepse në mënyrë të heshtur rrëzoi disa nga pretendimet e fabrikuara që ditëve të fundit u përdorën për të njollosur figurën e tij. Ironikisht, ajo që u paraqit si “largim” e “tradhëti” ndaj koalicionit VLEN, në fakt u legjitimua sot nga një ndër figurat më të fuqishme të politikës shqiptare – kryeministri Edi Rama.
Asnjë kompani nuk ia ndali rrugën
Në një kohë kur shpifjet dhe akuzat kishin nisur të prodhohen në seri për gjoja ndalesa ndaj Taravarit nga kompani ndërtimore me ndikim në Shqipëri, e sotmja provoi të kundërtën. Ai hyri në Tiranë me kokën lart, u prit me dinjitet dhe respekt, dhe shëtiti në bulevardin politik shqiptar pa asnjë pengesë. Kjo ishte goditja më e fortë ndaj propagandës së atyre që shpresonin ta portretizonin si të izoluar apo të padëshiruar.
Edi Rama legjitimoi largimin nga VLEN
Me gjithë debatet e brendshme në kampin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Taravari nuk shkoi në Tiranë si pjesë e VLEN-it. Ai shkoi si kryetar i një partie që tashmë është pozicionuar ndryshe, duke ndërmarrë një hap të guximshëm që nuk është aspak i lehtë në politikën shqiptare – daljen nga një aleancë ku llogaritë politike shpesh mbizotërojnë ndaj vizionit. Kryeministri Rama, në vend që ta relativizonte këtë qëndrim, zgjodhi ta pranojë – dhe me këtë veprim praktikisht i dha vulën e legjitimitetit një vendimi që kishte nevojë për qartësi dhe jo për linçim mediatik.
Rrëzimi i propagandës për “Gjokën”
Për javë të tëra, kundërshtarët politikë të Taravarit përpiqeshin ta lidhin emrin e tij me një konflikt të supozuar me kompaninë “Gjoka Konstruksion”, për ndërtimet në hapësirat e parkingjeve në Qendrën Klinike Universitare. Vizita e sotme në Tiranë e përgënjeshtroi këtë fabul. Nëse do të kishte pasur ndonjë kontest real apo tension të vërtetë, nuk do të kishte një takim të tillë, aq më pak në një atmosferë të tillë konstruktive. Kjo është një tjetër dëshmi se ndonjëherë, politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut e keqpërdor imagjinatën për të krijuar “armikun e brendshëm”, kur në fakt ka frikë nga potenciali i ndryshimit real.
Dyert e hapura – dhe përgjegjësia që pason
Në politikë, dyert nuk hapen gjithmonë për simpati personale. Ato hapen kur ekziston një përputhje mes vizionit dhe nevojës. Takimi i sotëm në Tiranë është një sinjal se Taravari nuk është vetëm një politikan provincial, por një figurë që po merr peshë në dimensionin gjithëshqiptar. Dhe kjo e rrit përgjegjësinë e tij. Nuk mjafton vetëm të jesh ndryshe – duhet edhe të jesh i gatshëm ta mbrosh dhe ndërtohesh këtë ndryshim me hapa konkretë.
Vizita e Arben Taravarit në Tiranë nuk e shënoi fundin e një rruge politike, por fillimin e një kapitulli të ri. Ai nuk ishte aty për të kërkuar mbështetje personale – ai ishte për të treguar se parimet dhe dinjiteti nuk janë monedhë këmbimi. Dhe për këtë, sot e fitoi një betejë pa e thënë asnjë fjalë të tepruar. Pati zë të qartë – edhe në heshtje.
















