Qeveria miraton ulje të doganave për 67 mallra
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar propozim-ligjin për ndryshimet në Ligjin për Tarifë Doganore, me të cilin parashihet ulja e normave doganore për 67 mallra që përdoren si lëndë të para dhe materiale ndihmëse në sektorë të ndryshëm të industrisë vendase, shkruan Flaka Media
Sipas njoftimit zyrtar, masa pritet të hyjë në fuqi më 1 korrik dhe ka për qëllim të forcojë konkurrueshmërinë eksportuese të industrisë automobilistike, të përpunimit të metaleve, metalurgjisë dhe sektorit të energjetikës.
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, tha se ndryshimet nënkuptojnë një ulje të normave doganore për 50% të diferencës midis tarifave ekzistuese dhe atyre të Bashkimit Evropian. Ajo theksoi se një prej elementëve kyç të kësaj pakete është edhe ulja e normës doganore për bateritë litium-jon, nga 15% në 2,7%.
“Bateritë janë element kyç për ruajtjen dhe balancimin e energjisë, sidomos në kontekstin e integrimit të burimeve të ripërtëritshme në rrjet. Kjo masë do të ndihmojë drejtpërdrejt në sigurimin e stabilitetit të sistemit energjetik dhe fizibilitetin e projekteve të gjelbra,” u shpreh Koçoska.
Sipas saj, ndryshimet janë pjesë e një strategjie më të gjerë për rritjen e konkurrueshmërisë së kompanive vendore në tregjet ndërkombëtare, përmes harmonizimit me standardet e BE-së. Flaka Media
















