VLEN prezanton masën e punësimit për vitin 2025
Koalicioni VLEN ka njoftuar lansimin e Masës 2.1 – “Punësim dhe rritje e ndërmarrjeve”, si pjesë e Planit Operativ për Punësim 2024. Sipas VLEN, kjo iniciativë konsiderohet një nga masat më konkrete dhe të fuqishme për nxitjen e punësimeve të reja dhe zhvillimin e ndërmarrjeve lokale në Maqedoninë e Veriut.
Sipas njoftimit të VLEN, qëllimi i masës është i dyfishtë: krijimi i vendeve të reja të punës dhe fuqizimi i bizneseve vendore, duke kontribuar kështu në ndërtimin e një ekonomie më të drejtë, më të fortë dhe më gjithëpërfshirëse.
Kush mund të aplikojë?
Të drejtë aplikimi në këtë masë kanë:
- Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme;
- Organizatat qytetare të interesuara për punësime të reja;
- Ndërmarrjet e reja të themeluara përmes Programit për Vetëpunësim në vitin 2024.
Mbështetja financiare për punësim
Grantet do të ndahen në bazë të kategorisë së të punësuarve:
- 250,000 denarë për të rinjtë deri në 29 vjeç;
- 220,000 denarë për gratë, komunitetin rom dhe përfituesit e ndihmës minimale;
- 160,000 denarë për të punësuarit mbi 29 vjeç që nuk i përkasin kategorive të mësipërme.
Përfituesit e granteve duhet të nënshkruajnë kontratë pune me të punësuarit për një periudhë që varion nga 9 deri në 15 muaj, duke garantuar kështu një stabilitet të caktuar në tregun e punës.
VLEN: Premtime të mbajtura, punë konkrete
Nga VLEN theksojnë se kjo masë është dëshmi e qartë se ndryshimi nuk është vetëm fjalë, por veprim konkret në dobi të qytetarëve dhe ekonomisë kombëtare.
“VLEN, punë konkrete për qytetarët” – përfundon deklarata zyrtare. Flaka Media
















