Flaka thumbon: VLEN-i po zvogëlohet, por vazalët s’po pakësohen
Në një zhvillim dramatik që nuk e priste askush, përveç atyre që dinë të lexojnë titrat e lajmeve, Arben Taravari bashkë me një pjesë të Aleancës për Shqiptarët kanë marrë valixhet e pushtetit dhe kanë dalë nga koalicioni VLEN. Njoftimi u bë publik me një gjuhë politike shumë të matur: “Na vjen mirë që ishim aty, por më mirë që s’jemi më.”
Menjëherë pas kësaj, Fronti Evropian doli me një deklaratë të fuqishme:
“VLEN janë vazalë!”
Përveç Taravarit – që doli jashtë dhe automatikisht u shpall i rehabilituar ideologjikisht.
Ndërsa në kampin VLEN, gjërat janë stabile – dmth, askush nuk është dorëhequr për shkak të ndërgjegjes.
Izet Mexhiti vazhdon të shpjegojë se është në pushtet për të mbrojtur shqiptarët nga opozita shqiptare.
Bilall Kasami është më i angazhuar në ndarjen e Tetovës me vetveten sesa me BDI-në.
Bekim Qoku është aty për të përkujtuar se në çdo koalicion duhet dikush që di të shkruajë fjalime.
Afrim Gashi përkujton moralin nga opozita, por vetëm gjatë fundjavave.
Zeqirja Ibrahimi, nga ana tjetër, beson se demokracia është më e shëndetshme kur ke një pozitë… në pozitë.
Në ndërkohë, Fronti Evropian po përgatitet për një riorganizim të madh: një fushatë për ta shpallur patriot çdo politikan që largohet nga VLEN, dhe tradhtar çdo shqiptar që nuk ka hall të BDI-së.
Një analist anonim tha për “Lajmi që s’na duhej” se:
“Në politikën shqiptare, nuk është problem të jesh vazal. Problemi është të mos e dish kujt i përket vazaliteti për momentin.”
Konkluzioni i ditës:
VLEN-it i ikën një pjesë e trupit, por vazhdon të ketë zë – sidomos kur flet për shqiptarët, pa shqiptarët.
“Lajmi që s’na duhej” është rubrikë satirike. Çdo ngjashmëri me realitetin është më shumë reale se satirike. Qëndrimet janë të autorit, jo të redaksisë – të paktën deri në emërimet e reja.”
(Çdo ngjashmëri me realitetin është më shumë reale se satirike. Qëndrimet janë të autorit, jo të redaksisë – të paktën deri në emërimet e reja.)














