Spalletti merr përgjegjësinë pas humbjes që rrezikon Juventusin për Champions League
Pas humbjes së rëndë në shtëpi ndaj Fiorentinës, që e ka nxjerrë Juventus nga zona e Ligës së Kampionëve një javë para fundit të sezonit, trajneri Luciano Spalletti ka reaguar me deklarata të forta dhe vetëkritike.
Spalletti theksoi se, pavarësisht rëndësisë së rezultatit, futbolli nuk duhet dramatizuar si një çështje “jete a vdekje”, duke kërkuar qetësi dhe fokus për ndeshjet e mbetura.
“E humbëm ndeshjen më të rëndësishme? Gjërat e jetës janë të tjera… janë ndeshje futbolli,” u shpreh ai, duke shtuar se skuadra ka bërë përparim dhe duhet të ruajë personalitetin në momentet e vështira.
Trajneri italian mori përgjegjësinë mbi vete për paraqitjen e dobët të skuadrës, duke theksuar se në radhë të parë duhet të analizohet puna e tij para asaj të lojtarëve.
“Nëse skuadra nuk arrin të shprehë nivelin e saj, i pari që duhet të vihet në diskutim jam unë,” deklaroi Spalletti për mediat italiane.
Ai pranoi se Juventusi zhvilloi një ndeshje të dobët në çdo aspekt dhe se skuadra nuk bëri mjaftueshëm për të merituar rezultat pozitiv, duke kërkuar reagim të menjëhershëm në sfidat e ardhshme.
Flaka
















