Flaka thumbon: Ndryshim me wifi të vjetër – Azir Aliu, kanali i preferuar, tashmë ministër
Në një lëvizje që as Nostradamusi nuk do ta kishte parashikuar (ose ndoshta po, por ia prenë parashikimin në mes), Azir Aliu emërohet sot ministër në qeverinë e re, duke u bërë shembulli i gjallë i asaj që në politikën shqiptare quhet “qëndrueshmëri parimore… në çdo qeveri që hap vend pune”.
I njohur për eksperiencën e tij të pasur — që përfshin kabinetin e Nikolla Gruevskit, zyrat e qeverisë LSDM-BDI, dhe së fundmi si urë komunikimi mes BDI-së dhe ASH-së (një urë që askush nuk pranoi ta kishte ndërtuar) — Aliu rikthehet në skenë me një post ministror, për të cilin thuhet se “s’e ka kërkuar, por as nuk e refuzoi shumë”.
Burime të pakonfirmuara, por të përfolura nëpër WhatsApp, thonë se në CV-në e tij më e rëndësishmja nuk është diploma, por fakti që “di ku e ka çdo derë – dhe çelësin e saj”.
Përderisa qytetarët kërkojnë fytyra të reja, pushteti vazhdon të ringjallë ato të vjetrat me përbërje të re: pak nga Gruevski, pak nga Zaev, dhe një pikë e madhe e marrëveshjes së marsit në zyrat e BDI-së.
Në fund të fundit, siç thonë nëpër korridore politike: “Nuk ka asgjë më të qëndrueshme se një ish-këshilltar që di të këshillojë veten si ministër.”
“Lajmi që s’na duhej” është rubrikë satirike. Çdo ngjashmëri me realitetin është më shumë reale se satirike. Qëndrimet janë të autorit, jo të redaksisë – të paktën deri në emërimet e reja.”
(Çdo ngjashmëri me realitetin është më shumë reale se satirike. Qëndrimet janë të autorit, jo të redaksisë – të paktën deri në emërimet e reja.) Flaka Media














