Enzo Maresca për Delapin: “Ai mund të jetë lideri ynë në sulm”
Trajneri i Çellsit, Enzo Mareska, është në përgatitje për debutimin e skuadrës së tij në Botërorin për klube, ndërsa paralelisht punon për të ndërtuar një identitet të ri për ekipin, që sezonin e ardhshëm do të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve.
Në prag të ndeshjes së parë në botërorin amerikan, Mareska ka folur për Liam Delap, sulmuesin e ri të klubit, për të cilin ka pritshmëri të mëdha. Ai ka bërë një deklaratë të fortë, duke e cilësuar Delapin si një nga talentet më premtuese për rolin e numrit 9 në futbollin anglez.
“Para se të përballeshim me Ipsuiçin sezonin e kaluar, thashë: Ai mund të jetë numri 9 i Anglisë,” deklaroi Mareska, duke shtuar: “Tani që ai është me ne, mund ta them sërish këtë gjë. Nuk kam asnjë dyshim se ai mund të jetë numri 9 i Anglisë në të ardhmen.”
Trajneri italian ka theksuar se Delap ka potencialin për të shkëlqyer te Çellsi, por gjithçka do të varet nga puna e tij në stërvitje. “Mesazhi është gjithmonë i njëjtë: Duhet të punosh shumë, do të punosh më shumë se numri 9 tjetër dhe do të jesh zgjedhja e parë. Shpresoj shumë që ai mund të shënojë gola për ne,” u shpreh Mareska.
Sulmuesi 21-vjeçar tashmë është pjesë e projektit të Mareskës, me trajnerin që beson se do të befasojë të gjithë me potencialin e tij. “Ne e njohim njëri-tjetrin tashmë prej vitesh, kështu që unë e di se çfarë mund të na japë Liam dhe ai e di se çfarë mund t’i japim atij për t’u përmirësuar dhe për t’u bërë një lojtar më i mirë. Do të na befasojë,” përfundoi Mareska.
Mbetet për t’u parë sesi do të performojë Delap në muajt e ardhshëm dhe nëse ai do të arrijë të bëhet sulmuesi kryesor i Çellsit.
Flaka
















