Ndeshje e fortë në Korçë – Shqipëria U-14 dhe Maqedonia e Veriut ndajnë pikët
Kombëtarja Shqiptare U-14 zhvilloi sot ndeshjen e parë miqësore kundër Maqedonisë së Veriut U-14, duke e përfunduar takimin në barazim 1-1. Sfida u zhvillua në stadiumin “Skënderbeu”, ku kuqezinjtë patën një paraqitje solide, por nuk arritën të sigurojnë fitoren.
Aleksandros Shofiti i dha avantazhin Shqipërisë në minutën e 14-të, duke shënuar një gol të bukur në pjesën e parë. Ekipi i trajnerit Francesco Vitobello e kontrolloi mirë ndeshjen në 45 minutat e para, duke mbyllur pjesën e parë me rezultatin 1-0.
Në pjesën e dytë, Maqedonia e Veriut arriti të rikthehej në lojë, duke barazuar në minutën e 56-të me golin e Davor Taneski. Momenti kyç i ndeshjes erdhi në minutën e 68-të, kur Bozhinovski u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë ekipin e tij me 10 lojtarë.
Shqipëria e shfrytëzoi këtë avantazh numerik, duke intensifikuar sulmet deri në fund të ndeshjes. Megjithatë, kuqezinjtë nuk arritën të gjejnë golin e fitores, duke u ndalur në një barazim që lë gjithçka të hapur për ndeshjen e dytë.
Takimi i dytë miqësor mes dy ekipeve do të zhvillohet më 19 qershor, ora 11:00, në stadiumin “SRC Biljanini Izvori” në Ohër, ku Shqipëria do të kërkojë një rezultat pozitiv për të mbyllur këtë përballje me një fitore.
Flaka














