Kuvendi miraton 600 milionë denarë shtesë për zhvillim komunal dhe projekte investuese
Sot, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi Propozimin e vendimit për rishpërndarjen e mjeteve midis shfrytëzuesve buxhetorë për vitin 2025, duke siguruar 600 milionë denarë shtesë për projekte infrastrukturore dhe kapitale, të cilat kanë për qëllim zhvillimin e komunave në përputhje me Thirrjet publike dhe kriteret e ministrive kompetente.
Përveç kësaj shume, me anë të këtij vendimi u siguruan edhe 242.3 milionë denarë shtesë për Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, të destinuara për kompensime në kuadër të mbrojtjes sociale.
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, theksoi rëndësinë e vendimit për zhvillimin lokal dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve:
“Bëhet fjalë për sigurimin e mjeteve për realizimin e investimeve në komunat që janë pjesë e konceptit tonë të zhvillimit, veçanërisht të zhvillimit në nivel lokal. Mjetet shtesë prej 600 milionë denarësh po u vihen në dispozicion komunave për investime, që do të thotë kushte më të mira për jetesën e qytetarëve dhe shërbime më të mira nga komunat.”
Ajo shtoi se:
“Qëllimi i Qeverisë është përkrahja e zhvillimit lokal dhe njëkohësisht përkrahja e rritjes ekonomike. Me këtë vendim, mjetet i kemi shpërndarë në buxhetet e institucioneve kompetente dhe nga aty do të transferohen në komuna në përputhje me dinamikën e zbatimit të projekteve.”
Sipas vendimit të miratuar, mjetet rishpërndahen si vijon:
- 100 milionë denarë për Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë
- 361.2 milionë denarë për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës
- 62.4 milionë denarë për Ministrinë e Sportit
- 60 milionë denarë për Ministrinë e Kulturës
Rishpërndarja bëhet në bazë të projekteve të dorëzuara dhe të miratuara në Thirrjen e dytë publike, për të cilat komunat kanë shprehur interes për realizim.
Pjesa më e madhe e projekteve që do të mbështeten financiarisht janë në funksion të përmirësimit të infrastrukturës lokale, arsimit, sportit, kulturës dhe mbrojtjes sociale, duke e bërë këtë vendim një shtytës të rëndësishëm për zhvillimin socio-ekonomik të komunave në të gjithë vendin. Flaka Media
















