Merkatoja ndizet: Araujo i hapur për transferim
Mbrojtësi i Barcelonës, Ronald Araujo, është vendosur në qendër të vëmendjes së merkatos pas një zhvillimi të papritur në kontratën e tij. Sipas “Mundo Deportivo”, klauzola e lirimit të uruguaianit është ulur përkohësisht në 60 milionë euro – një zbritje drastike që vlen vetëm nga 1 deri më 15 korrik.
Ky “afat special” është pjesë e një marrëveshjeje të veçantë të përfshirë në kontratën e Araujo-s, që lidhet me ndryshime të brendshme në strukturën e marrëveshjes dhe pjesëmarrjen e klubeve në Kupën e Botës për Klube. Kjo ulje e papritur e çmimit krijon një mundësi unike për klubet e mëdha që synojnë përforcimin e mbrojtjes së tyre me një lider të nivelit të lartë.
Araujo, i cili është kthyer kohët e fundit nga Uruguai pas një periudhe pushimesh dhe dasmeje, ka vendosur të bashkohet me stërvitjet e skuadrës që të martën, përpara pjesës më të madhe të lojtarëve të tjerë.
Në janar, emri i tij ishte në radarin e Arsenal dhe Juventus, por mbrojtësi zgjodhi të rinovonte me Barcelonën deri në vitin 2031. Tashmë, me një klauzolë prej vetëm 60 milionë euro deri më 15 korrik, situata ndryshon ndjeshëm.
Ndërkohë, Barcelona ka zyrtarizuar transferimin e parë të verës, duke blerë portierin Joan Garcia nga Espanyol për 25 milionë euro, të cilin e ka lidhur me kontratë gjashtëvjeçare.
Flaka
















