Juventusi shtyn për Sancho – Negociatat me United në fazë të avancuar
Merkatoja e verës ka nisur me ritëm të lartë për Juventusin, që po kërkon të përforcojë krahët e sulmit me një emër të njohur: Jadon Sancho. Sipas mediave italiane, trajneri Igor Tudor e pëlqen shumë profilin e lojtarit anglez dhe drejtuesit e klubit janë të gatshëm të ofrojnë 25 milionë euro për kartonin e tij.
Sancho vjen pas një sezoni të mirë në huazim te Chelsea, ku kontribuoi në triumfin e klubit në UEFA Conference League, duke shënuar edhe në finalen ndaj Real Betis. Megjithatë, pas përfundimit të huazimit, ai është rikthyer te Manchester United, ku nuk bën pjesë në planet e trajnerit të ri Ruben Amorim.
Problemi kryesor në transferimin e tij mbetet paga e lartë, që kap shifrën e 15 milionë euro në vit, një shumë që nuk përputhet me strukturën financiare të Juventusit. Palët po negociojnë për të gjetur një zgjidhje, ndoshta me ndihmën e United për të mbuluar një pjesë të pagës në vitin e parë.
Juventusi ka organizuar një video-konferencë me Manchester United për të diskutuar kushtet e transferimit, ndërsa Napoli dhe Fenerbahçe janë gjithashtu në garë për shërbimet e Sancho.
Flaka
















