Klasik Mourinho – mes ironisë, ndjeshmërisë dhe stilit të tij të veçantë
Gjatë një interviste për Sky Sport në paddock-un e Silverstone, ku këtë fundjavë zhvillohet Çmimi i Madh i Britanisë në Formula 1, trajneri portugez José Mourinho foli për fundin e pushimeve, nisjen e sezonit të ri dhe ndarjen tragjike nga jeta të bashkëkombësit të tij, Diogo Jota.
Për Diogo Jotën
Mourinho u ndal me emocion te humbja e Diogo Jotës, duke thënë:
“Të gjithë thonë se kur dikush ndërron jetë, ishte i mirë. Por ai ishte vërtet i mirë. Një lojtar i fortë, që nuk kërkonte dritat e reflektorëve apo vëmendje. Ndoshta një ditë do ta kuptojmë pse ndodhin këto gjëra, por për momentin nuk ka shpjegim.”
Për futbollin italian
I pyetur nëse i mungon Italia, Mourinho nuk e la pa një batutë tipike:
“Arsyeja e vetme pse mund të më mungojë Italia, është sepse askush nuk e fiton më Ligën e Kampionëve atje.”
Për Cristian Chivun
Mourinho foli me simpati për ish-mbrojtësin e tij dhe tashmë trajner të Interit, Cristian Chivu:
“Është një nga ‘fëmijët’ e mi. Ka mësuar nga eksperienca ime. Një gjë është të jesh lojtar i madh, tjetër gjë të bëhesh trajner i madh. Ka guxim dhe personalitet. Shpresoj që të shkojë mirë, por uroj vetëm që të mos fitojë ‘tripletën’. Mund të fitojë kampionatin, Kupën e Italisë dhe Champions-in… por jo të gjitha bashkë!”
Fillimi i sezonit
Mourinho konfirmoi se pushimet po përfundojnë dhe se është gati për aventurën e re me Fenerbahçen:
“Jam mirë, janë ditët e fundit të pushimeve. Të dielën nuk do jem këtu, sepse udhëtoj për në Stamboll. Tani nis sezoni.”
Flaka
















