Trajneri i Brazilit nën hetim për evazion fiskal
Gjykata e Madridit ka shpallur fajtor trajnerin italian Carlo Ancelotti për evazion fiskal, duke e dënuar me një vit burg me kusht dhe me një gjobë prej 386 mijë eurosh. Vendimi lidhet me periudhën kur Ancelotti drejtonte klubin prestigjioz Real Madrid gjatë sezonit 2013–2014.
Sipas dokumenteve gjyqësore, trajneri legjendar nuk ka deklaruar rreth 400 mijë euro të ardhura të përfituara nga të drejtat e imazhit, të cilat sipas ligjit spanjoll duhej të ishin raportuar si pjesë e kontratës. Megjithëse dënimi është formal, ai nuk do të përfundojë në burg fizik për shkak të mungesës së precedentëve penalë dhe faktit që dënimi është nën dy vjet – duke lejuar pezullimin e burgimit sipas kodit penal spanjoll.
Përveç dënimit penal, Ancelottit i është ndaluar për tre vjet përfitimi nga subvencionet publike, lehtësimet tatimore dhe të drejtat mbi sigurimet shoqërore.
Fillimisht, prokuroria spanjolle e akuzoi për një evazion më të gjerë fiskal, që kapte shifrën prej 1.06 milionë euro për vitet 2014 dhe 2015, por pas shqyrtimit të provave, gjykata vendosi ta shpallë të pafajshëm për vitin 2015.
Në deklaratën e tij gjatë hetimeve, Ancelotti sqaroi se nuk kishte pasur dijeni për ndonjë shkelje dhe kishte qenë i fokusuar vetëm në pjesën financiare të kontratës:
“E vetmja gjë që më interesonte ishte marrja e 6 milionë eurove neto për tre vjet. Nuk e dija që po bëja ndonjë gabim, as nuk u informova për ndonjë hetim,” u shpreh ai. Ai theksoi gjithashtu se praktika e shitjes së të drejtave të imazhit në atë kohë ishte e zakonshme në futbollin europian: “Madje edhe Mourinho kishte të njëjtën kontratë,” shtoi Ancelotti.
Aktualisht, pavarësisht çështjes ligjore, Ancelotti vazhdon detyrën e tij si trajner i kombëtares së Brazilit, një pozicion që e mori pas suksesit të tij të dytë me Real Madridin në Ligën e Kampionëve.
Ky rast rikthen në vëmendje diskutimin mbi evazionin fiskal në futbollin elitar, ku personalitete të shquara si Lionel Messi, Cristiano Ronaldo dhe José Mourinho kanë qenë të përfshirë në çështje të ngjashme gjatë viteve të kaluara.
Flaka














