Trent Alexander-Arnold në dyshim për gjysmëfinalen ndaj PSG-së – lëndim në stërvitje
Real Madrid ka marrë një goditje të papritur vetëm pak orë para ndeshjes gjysmëfinale në Kupën e Botës për Klube ndaj Paris Saint-Germain. Sipas raportimeve nga “Cadena COPE”, mbrojtësi anglez Trent Alexander-Arnold ka pësuar një lëndim gjatë stërvitjes së fundit në Palm Beach, duke e vënë në dyshim pjesëmarrjen e tij në sfidën e sotme.
Lajmi ka alarmuar stafin teknik të Xabi Alonsos, i cili tashmë përballet me mungesa të rëndësishme në repartin mbrojtës. David Alaba dhe Ferland Mendy janë jashtë për shkak të lëndimeve afatgjata, ndërsa Dean Huijsen është i pezulluar pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen ndaj Borussia Dortmund.
Alexander-Arnold, i cili ka qenë një nga lojtarët më aktiv në fazën e grupeve dhe ka kontribuar me dy asistime në turne, pritej të ishte titullar në krahun e djathtë të mbrojtjes. Lëndimi i tij vjen në një moment kritik, kur Real Madrid kërkon të sigurojë finalen kundër një PSG-je në formë të lartë.
Nëse konfirmohet mungesa e tij, Xabi Alonso mund të detyrohet të aktivizojë Dani Carvajal, i cili sapo është rikuperuar nga një dëmtim, ose të improvizojë me Aurelien Tchouameni në pozicionin e mbrojtësit të djathtë.
Ndeshja mes Real Madridit dhe PSG-së pritet të zhvillohet në MetLife Stadium, me fillim nga ora 21:00 sipas kohës lokale. Tifozët e “Los Blancos” shpresojnë që Alexander-Arnold të jetë në gjendje të rikuperohet në kohë dhe të ndihmojë skuadrën në një nga sfidat më të rëndësishme të sezonit.
Flaka














