Flaka thumbon: Qeverisja me shkëlqim – reflektimi i llambave të veturave zyrtare në mesnatë
Në një demonstrim të rrallë të përkushtimit ndaj detyrës, dy zëvendëskryeministra të VLEN-it, Izeti Mexhiti dhe Arbër Fetai, janë kapur duke “qeverisur” trotuaret e Shkupit rreth orës 23:00, me veturat e tyre shtetërore të parkuara mjeshtërisht në mënyrë të paligjshme pranë qendrës tregtare “Mavrovka”.
Sipas portalit investigativ “360 shkallë”, dy “Shkoda SuperB” ishin të pozicionuara me përpikëri në vendin ku fillon qeverisja alternative – mes një kioske suxhuku dhe një semafori pa llambë.
Burime të pakonfirmuara thonë se parkimi i natës është pjesë e një projekti pilot të qeverisjes në orët e vona, që synon të provojë sa mirë funksionon rendi dhe ligji në errësirë.
“Nuk është shkelje, është improvizim urban,” ka komentuar një këshilltar imagjinar pranë kabinetit të VLEN-it.
Ndërkohë, pyetjet zyrtare që iu drejtuan institucioneve – si “Çfarë pune keni në 23:00?”, apo “Pse parkoni si të ishit në dasmë në fshat?” – mbetën pa përgjigje, ndoshta sepse përgjigjet janë rezervuar për ndonjë sezon të ardhshëm të serialit “Qeveria në terren”.
Ironikisht, kjo ndodhi pak ditë pas deklaratave të Kryeministrit Mickoski se “po ndërtohet një shtet me standarde të reja dhe transparencë”. E duket se transparenca fillon me shkëlqimin e dritës së llambës së veturës shtetërore që ndriçon shkallët e Mavrovkës.
Flaka Thumbon:
“VLEN kishte premtuar që do të ndalte parkimin e paligjshëm në jetën politike. Për fat të keq, ndaluan vetëm parkimin e ligjshëm – dhe atë në orar pune.”
Në fund të ditës (ose më saktë, në fund të natës), qytetarët thjesht pyesin: a ka mbetur ndonjë trotuar për njerëzit? Apo edhe ai është rezervuar për “qeverisjen e mirë”?
Shënim i redaksisë: Ky është vërtet lajmi që s’na duhej. Po na vjen turp edhe ta botojmë.
“Lajmi që s’na duhej” është rubrikë satirike. Çdo ngjashmëri me realitetin është më shumë reale se satirike. Qëndrimet janë të autorit, jo të redaksisë – të paktën deri në emërimet e reja.”
(Çdo ngjashmëri me realitetin është më shumë reale se satirike. Qëndrimet janë të autorit, jo të redaksisë – të paktën deri në emërimet e reja). Flaka Media
















