Taravari sfidon Aliun: Ku janë 300 specializantët dhe premtimet për Qendrën Limak?
Ish-ministri i Shëndetësisë dhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka reaguar ashpër ndaj Ministrit aktual të Shëndetësisë, Azir Aliu, duke publikuar një dokument zyrtar që tregon se kërkesa për punësimin e 155 punonjësve në Spitalin Klinik të Tetovës është refuzuar nga Ministria e Financave më 15 korrik 2025.
“Nuk do doja që të komentoj më shumë, pos se një dokument, që ministrit i ka mbërritur më 15.07.2025, në të cilin ka përgjigje NEGATIVE për punësimin e 155 punonjësve për Spitalin e Tetovës,” shkruan Taravari.
Sipas tij, kërkesa për punësime është dorëzuar në Ministrinë e Shëndetësisë më 2 korrik 2025, pra gjatë kohës kur Azir Aliu kishte marrë detyrën e ministrit. Taravari pyet publikisht pse nuk është bërë asnjë përpjekje për të ndikuar që kjo kërkesë të miratohej.
“Pse nuk ndikuat që të keni përgjigje pozitive? Të gjitha këto punësime, nisur nga 300 + 300 specializantë, ua lash të gatshme. Grupin e parë, gati se e mbarova. Po ku jeni me grupin e dytë?”
Ai thekson se çdo kërkesë që ka mbërritur në Ministri gjatë kohës që ai drejtonte institucionin, ka kaluar me procedurë të përshpejtuar drejt institucioneve përgjegjëse si Fondi i Sigurimeve Shëndetësore dhe Ministria e Financave.
Taravari nuk ndalet vetëm me këtë çështje, por shton edhe pesë pyetje të drejtpërdrejta për ministrin aktual Azir Aliu, të cilin e ironizon për “stratёgjinё e ChatGPT-së” dhe “ministrin e 5 shtyllave”:
1. “Thatë se 300 punëtorë shëndetësorë do të parkohen në Qendrën Limak nga 1 Korriku. Deri ku jeni me këtë procedurë? Pse jeni aq vonë?”
2. “Deri ku jeni me kontrollet falas për çdo 40-vjeçar?”
3. “Dërguat një informatë në Qeveri që t’ia vazhdoni Qytetit të Shkupit mbikëqyrjen e parkingut të Qendrës Klinike. A kishit ndonjë marrëveshje? Pse e tërhoqët të njëjtën? Çfarë fshihet pas kësaj?”
4. “Po bëni reforma në sistemin ‘Termini Im’, ndërsa nuk keni marrëveshje për mirëmbajtje. Si do e bëni pa kontratë?”
5. “Për ndërtimin e murit afër Spitalit të Pediatrisë, sigurova buxhet dhe ka vendim të Qeverisë. Ta rikujtoj se duhet ta ndërtoni sa më parë, sepse paraqet rrezik!”
Në fund të reagimit, Taravari ironizon me mënyrën e komunikimit të ministrit aktual, duke shtuar:
“Këtë status po e shkruaj më vonë, pas orarit të punës, se nuk përgjigjeni në orar të punës! Kërkoj ndjesë!”
Ky reagim i drejtpërdrejtë nga Taravari hap një front të ri të kritikave ndaj udhëheqjes aktuale të Ministrisë së Shëndetësisë dhe ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin e institucioneve në raport me shëndetësinë publike në vend. Flaka
















