ASH: Vetëm bizneset maqedonase përfituan nga kredia prej 500 milionë eurosh
Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së shpërndarjes së fondeve nga kredia prej 500 milionë eurosh e marrë nga Hungaria një vit më parë. Në një deklaratë për media, kjo parti e ka quajtur procesin “diskriminues” dhe “të fshehtë”, duke kërkuar transparencë të menjëhershme dhe auditim të pavarur.
“Qytetarët po e shohin të vërtetën e hidhur: asnjë transparencë dhe zero llogaridhënie, dhe përfitime vetëm për të afërmit e pushtetit, dhe vetëm për biznesin maqedonas”, thuhet në deklaratë.
Sipas ASH-së, nga 250 milionë euro të dedikuara për investime, deri më tani janë ndarë 125 milionë euro, por pa asnjë informacion publik për përfituesit. “Asnjë listë përfituesish, asnjë emër, vetëm numra abstraktë dhe fjalë boshe”, thekson partia opozitare shqiptare.
ASH ngre shqetësimin se kompanitë shqiptare janë sistematikisht të përjashtuara nga ndarja e fondeve. “Kompanitë shqiptare nuk kanë përfituar as 10% të këtyre fondeve”, theksohet në deklaratë, ku kjo situatë cilësohet si “diskriminim me vulë shtetërore”.
Partia akuzon qeverinë se po përdor kredinë hungareze për qëllime politike dhe klienteliste. “Ajo që shohim sot është një model i vjetër i diskriminimit, vetëm me fytyra të reja. Një qeveri që përdor kredinë hungareze për të forcuar klientelizmin dhe varësinë politike, ndërsa shqiptarët i konsideron të tepërt”, thuhet më tej.
Në fund të deklaratës, Aleanca për Shqiptarët paraqet tre kërkesa të qarta drejtuar institucioneve:
- Publikimin urgjent të listës së plotë të përfituesve;
- Sqarimin e qartë të kritereve të ndarjes së fondeve;
- Auditim të pavarur dhe publik të të gjithë procesit.
“Qeveria nuk mund të vazhdojë të luajë me dinjitetin e qytetarëve dhe të shesë propagandë me paratë e huazuara në emrin tonë. Nëse nuk keni çfarë të fshihni, atëherë publikoni në mënyrë transparente listat”, përfundon reagimi.
Sipas ASH-së, kjo nuk është vetëm një krizë ekonomike, por një “padrejtësi e institucionalizuar” dhe një “borxh që shqiptarët nuk e morën, por do ta paguajnë”.














