Breshër dhe përmbytje në Brezovicë, Gjilan e Ferizaj – Rrugët bllokohen
Gjatë pasdites së sotme, reshje të dendura shiu të shoqëruara me breshër të fuqishëm kanë përfshirë disa zona të Kosovës, duke shkaktuar përmbytje masive dhe probleme serioze në furnizimin me energji elektrike.
Ndër zonat më të prekura janë Brezovica, Gjilani, Ferizaj dhe disa fshatra në komunën e Gjakovës. Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë rrugë të përmbytura, oborre me nivele të larta të ujit dhe shtresa të trasha breshëri në shumë vende.
Në Brezovicë, rruga kryesore drejt komplekseve turistike është bërë e pakalueshme, ndërsa në Gjilan dhe Ferizaj, sistemi i kanalizimeve nuk ka përballuar sasinë e madhe të ujit, duke shkaktuar kaos në qarkullim dhe rrezik për ndërtesat në katet e ulëta.
Në komunën e Gjakovës, breshëri ka dëmtuar disa fshatra, duke shkaktuar dëme materiale në bujqësi dhe infrastrukturë.
Ndërkohë, Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar për dëmtime në rrjetin elektrik, veçanërisht në rajonin e Anamoravës, ku një numër i madh konsumatorësh kanë mbetur pa energji elektrike.
“Ekipet tona janë në terren dhe po punojnë pa ndërprerje për të rikthyer furnizimin me energji sa më parë që të jetë e mundur”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.
Flaka
















