Flaka e paralajmëroi: Nuk u realizua takimi mes kandidatëve të Gostivarit
Ashtu siç kishte raportuar një ditë më parë Flaka, takimi i paralajmëruar nga kandidati i pavarur për kryetar të Gostivarit, Visar Ademi, me dy kundërkandidatët e tij, Valbon Limani nga Aleanca Kombëtare për Integrim dhe Sebadin Dauti nga VLEN, nuk u mbajt.
Ademi kishte ftuar Limanin dhe Dautin për një kafe miqësore, me qëllim promovimin e një klime më të civilizuar politike.
“Kafja për gostivarasit është simbol i një akti social, dhe këtë desha ta përcjell edhe në këtë garë zgjedhore,” tha Ademi, duke shtuar se qëllimi ishte njohja personale mes kandidatëve. Ai bëri të ditur se është ende në pritje të përgjigjes zyrtare nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve për nevojën e mbledhjes së nënshkrimeve dhe se nuk ka vendosur ende nëse do të prezantojë edhe një listë këshilltarësh.
Nga Shtabi Zgjedhor i Valbon Limanit shprehën mirënjohje për ftesën, por theksuan se është ende herët për një takim të tillë.
“Pasi të përfundojnë të gjitha procedurat për zyrtarizimin e kandidaturave, do të jemi të gatshëm për të zhvilluar një takim me të gjithë, përfshirë edhe atë në ditën e nënshkrimit të Kodit për zgjedhje të ndershme dhe demokratike,” thanë nga shtabi i Limanit. Ata shtuan se “do të ishte e padrejtë të privohen nga e drejta e një takimi edhe kandidatët e tjerë të mundshëm, përfshirë edhe ata të pavarur.”
Nga ana tjetër, Sebadin Dauti e falënderoi Ademin për ftesën, por propozoi një format tjetër.
“Mendoj se formati më i përshtatshëm për një takim të tillë do të ishte një debat publik, i organizuar nga media të pavarura, me moderim profesional, ku të gjithë kandidatët të kemi hapësirë të barabartë për të paraqitur vizionin dhe programin tonë para qytetarëve,” tha Dauti, duke shtuar se nuk i shmanget asnjë forme ballafaqimi dhe se është i hapur për një kafe joformale në ditët në vijim. Flaka Media
















