Shqipëria, destinacion në rritje për punëtorët e huaj – mbi 21 mijë me leje qëndrimi
Gjeografia e shtetasve të huaj që zgjedhin Shqipërinë për punë, bashkim familjar apo arsye të tjera po zgjerohet ndjeshëm. Sipas të dhënave të INSTAT, në fund të vitit 2024 në vend jetonin 21.940 të huaj me leje qëndrimi, një rritje prej 2,2 % krahasuar me vitin 2023.
Nga këta, gati 12 mijë kanë ardhur për arsye punësimi, duke e bërë këtë motivin kryesor të qëndrimit (54,3 % e totalit). Pasojnë bashkimi familjar (24,5 %), arsye të tjera (16,3 %), studimi (4,0 %) dhe qëllime humanitare (0,9 %).
Profili demografik tregon se 61,9 % e të huajve janë meshkuj, ndërsa grupmosha më e përfaqësuar është ajo 30–39 vjeç (24,6 %).
Në vitin 2024, aplikimet për leje qëndrimi u rritën me 6 % krahasuar me vitin paraardhës. Shtetasit nga Italia dhe India përbëjnë së bashku 28,8 % të aplikimeve.
Nga ana gjeografike, Evropa mban peshën kryesore me 65,5 % të të huajve (14.367 persona), ndonëse ka shënuar një rënie prej 5,6 %. Azia ka pasur rritje të ndjeshme me 20,1 % (4.545 persona), ndërsa Amerika, Afrika dhe Oqeania kanë shënuar rritje me 23,4 % (3.028 persona).
Shtetasit me origjinë nga Kosova (4.592 persona, +23,7 %), Italia (3.763 persona, +11,5 %) dhe Turqia përbëjnë grupet më të mëdha të të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri.
Një tjetër tregues pozitiv është ulja e numrit të të huajve të parregullt: në vitin 2024 u identifikuan 1.540 raste, shumë më pak se 6.630 në vitin 2023.
Flaka
















