Mexhiti: “Sporti është pasaporta e Çairit në botë”
Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, njëherësh kandidat për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka zhvilluar sot një takim me mbi 130 sportistë dhe punëtorë sportivë nga kjo komunë.
Gjatë diskutimit për sfidat dhe mundësitë e zhvillimit të sportit, Mexhiti theksoi rëndësinë e tij për identitetin e Çairit:
“Çairi ka lindur kampionë olimpikë, botërorë e evropianë. Sporti është pasaporta jonë në botë, krenaria jonë kolektive.”
Ai theksoi se përkushtimi ndaj sportit është njëkohësisht përkushtim ndaj të rinjve dhe së ardhmes së komunës:
“Angazhimi për të përmirësuar kushtet për sport është angazhim për të ardhmen e Çairit.”
Në këtë kuadër, Mexhiti prezantoi disa projekte madhore që, sipas tij, do të realizohen në mandatin e ardhshëm:
- Ndërtimi i sallës multifunksionale “Çair” me kapacitet prej 3.000 ulësesh dhe standarde ndërkombëtare;
- Rikonstruksioni i sallës sportive “Partizani”, që do të kthehet në hapësirë të gjallë për klubet dhe sportistët e rinj;
- Ndërtimi i tre fushave multifunksionale në Tophanën e Vjetër, Sahat Kullë dhe Gazi Babë.
Mexhiti theksoi se këto projekte nuk janë thjesht investime infrastrukturore:
“Këto nuk janë vetëm projekte infrastrukturore, por investime direkte në ëndrrat e fëmijëve tanë, në klubet që na kanë përfaqësuar me dinjitet dhe në krenarinë e çdo qytetari të Çairit.”
Ai përmbylli takimin me një mesazh simbolik:
“Sporti nuk është vetëm lojë, por një mënyrë e fuqishme për të treguar botës se kush jemi dhe çfarë përfaqësojmë. Unë do të jem gjithmonë në krah të sportit dhe sportistëve të Çairit.” Flaka
















