Koreja e Jugut thyen rekord me eksportet e makinave të përdorura
Nga terrenet me baltë të një ish-parku argëtues në bregdetin e Koresë së Jugut, dhjetëra mijëra automjete po paketohen çdo ditë për t’u dërguar jashtë vendit. Incheon, qendra më e madhe e eksportit të makinave të përdorura, është kthyer në një pikë kyçe për tregtinë globale, ndërsa kërkesa për automjete të dorës së dytë po rritet me ritme rekord.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë, eksportet totale të makinave arritën në 5.5 miliardë dollarë vetëm në gusht, një rritje prej 9% krahasuar me një vit më parë – shifra më e lartë mujore e regjistruar ndonjëherë. Vetëm eksportet e makinave të përdorura u rritën me 35%, duke arritur në 711.5 milionë dollarë.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit, Koreja e Jugut shiti 437,151 makina të përdorura jashtë vendit, me një vlerë prej 3.9 miliardë dollarësh, duke vendosur një rekord të ri historik.
Kjo rritje po ndihmon në zbutjen e ndikimit të tarifave 25% të vendosura nga SHBA për makinat e reja, të cilat kanë ulur eksportet drejt tregut amerikan për gjashtë muaj rresht. Megjithatë, kërkesa e lartë nga Rusia, Lindja e Mesme dhe Azia Qendrore ka kompensuar rënien.
Ekspertët parashikojnë që 2025 do të jetë viti më i fortë ndonjëherë për eksportet e makinave të përdorura të Koresë së Jugut, megjithëse infrastruktura e dobët në qendrat e eksportit, si ajo në Incheon, shihet si pengesë për rritjen e mëtejshme.
Flaka
















