Investime milionëshe për modernizimin e rrjetit të tensionit të lartë dhe të mesëm
Elektrodistribuimi ka investuar mbi 20 milionë euro në gjysmën e parë të këtij viti në projekte të modernizimit dhe rikonstruksionit të rrjetit distributiv në tension të lartë dhe të mesëm. Investimet, sipas kompanisë, kanë për qëllim përmirësimin afatgjatë të cilësisë dhe sigurisë së furnizimit me energji elektrike, si dhe rritjen e fuqisë dhe kapacitetit të rrjetit.
Një nga projektet më të mëdha që po realizohet aktualisht është trafostacioni i tensionit të lartë 110/35/10 kV “Qendrorja” në qendër të Shkupit, ku deri tani janë investuar 11 milionë euro.
“Ky është një nga projektet më strategjike për kryeqytetin, që do të mundësojë një furnizim më stabil dhe të sigurt për qytetarët dhe bizneset në Shkup,” theksojnë nga Elektrodistribuimi.
Një tjetër investim i rëndësishëm lidhet me projektet e kabllimit, të cilat tejkalojnë 9 milionë euro. Ato përfshijnë zëvendësimin e linjave ekzistuese ajrore me kabllo nëntokësore dhe ndërtimin e linjave të reja kabllore me një gjatësi prej 110 kilometrash në zona të ndryshme si Aerodrom, Peshtani, Zajas, Tajmishte, Strumicë dhe Dellçevë.
“Me këto projekte synojmë të reduktojmë humbjet teknike, të rrisim efikasitetin dhe të garantojmë cilësi më të lartë të shërbimit për konsumatorët,” deklarojnë nga kompania.
Deri në fund të vitit është planifikuar edhe instalimi i një kablloje të re 110 kV në drejtimin Jug Nova – Qendrorja – Vardar.
Sipas Elektrodistribuimit, këto investime do të rrisin nivelin e efikasitetit të të gjithë sistemit dhe do të krijojnë kushte më të mira për zhvillimin ekonomik e urban në vend.
















