Adi Krasta mbështet protestën e studentëve në Shkup: “Gjuha shqipe është e panegociueshme”
Gazetari dhe moderatori i mirënjohur nga Tirana, Adi Krasta, ka dalë në mbështetje të protestës së studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke e cilësuar gjuhën shqipe si një të drejtë të panegociueshme për shqiptarët kudo që jetojnë.
Në reagimin e tij publik, Krasta theksoi se gjuha shqipe mbetet pjesë thelbësore e ekzistencës dhe identitetit kombëtar shqiptar.
“Gjuha Shqipe kudo ku jemi e jetojmë është absolutisht e panegociueshme. Nëse do ketë sërish fuqinë për të na armatosur në betejën për të ekzistuar, kështu le të jetë”, deklaroi ai.
Duke shprehur mbështetje të hapur për protestën studentore, Krasta tha se po bashkon zërin e tij me studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
“Mbështes protestën. Bashkoj zërin tim me atë të vajzave e djemve studentë në Maqedoninë e Veriut. Përdorimi i barabartë i gjuhës shqipe duhej të ishte zgjidhur deri tani”, u shpreh moderatori shqiptar.
Ai shtoi se pikërisht fakti që çështja ende mbetet e pazgjidhur, e bën protestën një kauzë të drejtë dhe me rëndësi për të gjithë shqiptarët.
“Ndaj pikërisht pse është vonë, kjo bëhet një kauzë plotësisht e drejtë dhe tejet e rëndësishme për të gjithë ne”, theksoi Adi Krasta. Gazeta Flaka
















