Agjencia e Vesna Kuzmanoviç nxjerr VLEN forcë të parë në anketën e fundit
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj publikimit të një ankete ku koalicioni VLEN rezulton forca e parë politike te shqiptarët, duke e cilësuar atë si “anketë të porositur” dhe pjesë të një propagande politike.
Në reagimin e saj, BDI thotë se bëhet fjalë për “një tjetër anketë të porositur, e cila përmes portaleve dhe qendrave propagandistike pranë qeverisë tenton të krijojë perceptim të rremë dhe manipulim psikologjik te elektorati shqiptar”.
Partia opozitare veçon edhe emrin e pronarës së agjencisë që ka realizuar anketën, Vesna Kuzmanović, duke pretenduar se kjo “i forcon dyshimet se projekti VLEN nuk është projekt autentik politik shqiptar, por një konstrukt i mbështetur dhe menaxhuar nga qendra të jashtme”.
“Shqiptarët në këtë vend nuk janë laborator politik për agjenda të huaja dhe as vullneti i tyre nuk mund të modelohet me anketa të porositura nga Beogradi”, thuhet në reagim.
BDI vlerëson se është “simptomatike” që anketa të tilla publikohen në periudha kur, sipas tyre, qeveria po përballet me “dështime, krizë ekonomike, tensione ndëretnike dhe rënie të besimit qytetar”.
Në fund, integristët theksojnë se “zëri i shqiptarëve nuk mund të blihet, as të dirigjohet nga Beogradi”. Gazeta Flaka
















