Ahmeti: Po bëhen përpjekje sistematike për të zhbërë të arriturat e shqiptarëve
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka deklaruar se gjatë dy viteve të fundit në vend po bëhen përpjekje sistematike për të zhbërë të arriturat që, sipas tij, janë ndërtuar me shumë mund dhe sakrificë gjatë 24 viteve të fundit.
Këto komente Ahmeti i bëri sonte në Kuvendin Zgjedhor të Degës së BDI-së në Butel, ku u konstituuan Kryesia e Degës, Këshilli Mbikëqyrës dhe Komiteti i Veteranëve.
“Fatkeqësisht, për 24 muaj me radhë po shohim përpjekje sistematike për të zhbërë atë që shqiptarët dhe qytetarët e këtij vendi e kanë ndërtuar me shumë mund, sakrificë dhe angazhim gjatë 24 viteve të fundit”, deklaroi Ahmeti.
Ai kritikoi edhe ata që, sipas tij, promovojnë konceptin “cilësi dhe jo etni”, duke vlerësuar se kjo nënkupton heqje dorë nga mbrojtja e interesave kombëtare dhe të drejtave të shqiptarëve.
“Ata që sot predikojnë parulla për ‘cilësi dhe jo etni’, po dëshmojnë se kanë hequr dorë nga mbrojtja e interesave kombëtare dhe të drejtave të shqiptarëve. Në vend të avancimit të pozitës së shqiptarëve, po shohim heshtje përballë padrejtësive, relativizim të të drejtave të fituara dhe cenim të mekanizmave që garantojnë barazi dhe përfaqësim të drejtë”, tha Ahmeti.
Duke folur për zhvillimet në parti, ai theksoi se kuvendi në Butel dëshmoi unitet dhe përkushtim ndaj vlerave të BDI-së.
“Më gëzon fakti që edhe në Butel dëshmuam unitet, pjekuri politike dhe përkushtim ndaj vlerave që për 24 vite e kanë bërë BDI-në organizatën më të konsoliduar dhe më të fuqishme politike shqiptare në vend”, u shpreh Ahmeti.
Në fund, lideri i BDI-së tha se partia e tij mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e të arriturave të shqiptarëve, Marrëveshjes së Ohrit dhe perspektivës euroatlantike të vendit. Gazeta Flaka
















