Alarm demografik: Maqedonia e Veriut rrezikon të bjerë nën një milion banorë deri në vitin 2100
Maqedonia e Veriut po përballet me një perspektivë të rëndë demografike. Sipas projeksioneve të Kombeve të Bashkuara, vendi mund të humbasë më shumë se gjysmën e popullsisë deri në fund të këtij shekulli, duke zbritur nën pragun e një milion banorëve.
Skenari afatmesëm i OKB-së parashikon që deri në vitin 2050 popullsia të bjerë në rreth 1.52 milion banorë, ndërsa në vitin 2100 të zbresë në një interval prej 868 mijë deri në 943 mijë banorë. Kjo do të përfaqësonte një tkurrje prej rreth 52 për qind krahasuar me nivelin aktual të marrë si bazë në projeksion.
Parashikimet e Entit Shtetëror të Statistikave janë më pak pesimiste, por gjithashtu tregojnë një rënie të ndjeshme. Sipas tyre, deri në vitin 2070 popullsia mund të zvogëlohet për 30 deri në 35 për qind, duke kaluar nga rreth 1.83 milionë në 1.2 deri në 1.3 milionë banorë.
Dy faktorët kryesorë që ndikojnë në këtë trend janë numri i ulët i lindjeve dhe emigrimi i vazhdueshëm, veçanërisht i të rinjve dhe familjeve. Këto zhvillime po ndikojnë jo vetëm në numrin e banorëve, por edhe në strukturën e moshës së popullsisë dhe potencialin e fuqisë punëtore.
Megjithëse Maqedonia e Veriut aktualisht ka një përqindje më të lartë të popullsisë në moshë pune sesa mesatarja e Bashkimit Evropian, projeksionet afatgjata tregojnë se ky avantazh mund të zbehet ndjeshëm.
Sipas të dhënave të cituara nga projeksionet e OKB-së, Maqedonia e Veriut renditet e katërta në Evropë për nga shpejtësia e parashikuar e shpopullimit, pas Ukrainës, Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Nëse këto prirje vazhdojnë, vendi do të përballet me sfida gjithnjë e më të mëdha për tregun e punës, sistemin pensional, shërbimet publike dhe zhvillimin ekonomik.
Flaka














