Aleanca për Shqiptarët konsolidon degën në Vrapçisht, Bejtulla Kamberi zgjidhet kryetar
Aleanca për Shqiptarët ka vazhduar procesin e riorganizimit të strukturave partiake në prag të kongresit të ardhshëm, duke mbajtur të premten mbrëma kuvendin themelues të degës në Vrapçisht.
Në kuvend, ku mori pjesë edhe kryetari i partisë, Arben Taravari, u konstituuan organet drejtuese të degës. Me shumicë votash, për kryetar të degës së Vrapçishtit u zgjodh Bejtulla Kamberi, ndërsa u emëruan edhe nënkryetarët dhe sekretari i degës.
“Besimin për të udhëhequr me degën e Vrapçishtit të Aleancës për Shqiptarët me shumicë votash e mori Bejtulla Kamberi”, thuhet në njoftimin e partisë.
Po ashtu, delegatët e kuvendit zgjodhën Këshillin Mbikëqyrës të degës dhe përfaqësuesit që do të marrin pjesë në Kongresin e V të Aleancës për Shqiptarët.
Sipas partisë, kuvendi u zhvillua në një atmosferë uniteti dhe debati përmbajtësor, duke reflektuar angazhimin e anëtarësisë për forcimin e strukturave lokale.
“Kuvendi themelues u mbajt në një atmosferë uniteti, mirëkuptimi dhe debati përmbajtësor, duke reflektuar përkushtimin dhe mobilizimin e madh të anëtarësisë së degës së Vrapçishtit”, theksohet në komunikatë.
Nga Aleanca për Shqiptarët vlerësojnë se pjesëmarrja e gjerë e anëtarëve dhe aktivistëve dëshmon gatishmërinë për zgjerimin dhe fuqizimin e veprimit politik në terren, në kuadër të përgatitjeve për kongresin e ardhshëm partiak. Gazeta Flaka
















